Para disa ditësh Bledi Shkëmbi u shkarkua nga detyra si trajner i Ballkanit duke e mbyllur sezonin me skuadrën nga Suhareka 3 javë para fundit të kampionatit.
Mbrëmjen e djeshme në një lidhje direkte në emisionin ‘’Kampionët’’, Shkëmbi u shpreh se në Kosovë ka aleanca të shumta për ekipin që do të dalë kampion dhe se Ballkani ra viktime e tyre, ndërkohë që falënderoj dhe presidentin e klubit për mundësinë që i dha për të qenë në krye të skuadrës.
‘’Të gjithë e dimë, madje edhe ju aty në studio se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Nuk dua të justifikoj punën time, por gjërat ndodhën saktësisht ashtu siç është folur dy muaj më përpara, ekipi që del kampion dhe ekipi që del në Evropë. Në Kosovë ka aleanca të shumta dhe Ballkani është viktimë e tyre.
Më vjen keq që nuk arritëm të bënim diçka më shumë në këtë drejtim, në radhë të parë për lojtarët dhe pastaj për presidentin, i cili është një njëri shumë korrekt dhe nuk e meritonte këtë. Nuk jam tip që dua të gjej fajtorin, pasi që fajin gjithmonë e kërkoj te vetja. Jam i kënaqur me angazhimin e gjithë futbollistëve, por ndoshta mendësia ime për të luajtur më ndryshe futboll, madje edhe nga trajneri paraprak ka ndikuar te ata.
Pjesa tjetër me plot bindje e them se është faktori psikologjik, i cili ishte tejet i rënduar te lojtarët dhe stafi drejtues i klubit sa i përket luftës nga jashtë, pasi që jo gjithçka varej në fushë. Lojtarët e vuanin shumë këtë pjesë, sidomos atë të arbitrimit dhe gjithmonë më dilte punë të kërkoja diçka më shumë nga ata”, u shpreh Shkëmbi.