Rreth orës 01:00 të ditës së sotme (27 mars 2023), një sulm me armë zjarri ka ndodhur në ambientet e Top Channel. Persona të armatosur kanë qëlluar me breshëri në drejtim të godinës së televizionit, duke lënë të vrarë rojen e sigurisë.
View this post on Instagram
Pas ngjarjes autorët janë arratisur, ndërsa policia njoftoi se është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e ngjarjes si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ngjarja e rëndë ka tronditur mbarë opinionin publik, duke vënë dhe njëherë në pikëpyetje sigurinë e qytetarëve.
Kush është viktima?
Viktima e sulmit me armë ndaj Top Channel është një i pafajshëm. Bëhet fjalë për rojen e sigurisë së godinës, 60-vjeçari Pal Kola. Kola ka qenë në kabinën e tij duke u ngohur në momentin kur ka ndodhur sulmi me breshëri kallashnikovi. Nga 27 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje, njëri ka kapur rojën, i cili gjatë transportimit në spitalin e Traumës, ka humbur jetën.
Mësohet se 60-vjeçari banonte në një shtëpi të vogël në Sharrë, në kushte aspak të mira. Për të shkuar në punë ai duhej të bënte çdo ditë kilometra në këmbë, pasi shtëpinë e kishte larg nga rruga kryesore. Madje edhe ditët e festave i shpenzonte në punë.
Në një deklaratë për media, fqinji i tij ka rrëfyer se Kola ishte njeri i mirë e hallexhi.
“Na vjen keq se e kam komshi, kam 15 vite që rri në këtë lagje. Ishte njeri i mirë, hallexhi. Po hallexhinj jemi të gjithë. Njeri i mirë, s’ka pasur probleme. Ishte i pafajshëm.”, ka thënë fqinji.
Lexo këtu të gjitha lajmet rreth sulmit ndaj Top Channel
Reagimi i Top Channel
Kompania mediatike Top Channel ka reaguar në lidhje me sulmin me armë rreth 10 orë pas ngjarjes.
Në reagim, televizioni e quan sulmin një akt terrorist, ndërsa rendit si shkak të mundshëm të tij, qëllimin për “dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë”.
“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, e hënë 27 mars 2023, Top Channel është goditur nga një sulm terrorist, i pandodhur kurrë më parë në 32 vite ndërtim të shtetit të së drejtës dhe fjalës së lirë.
Pasojë e këtij sulmi ishte humbja e jetës së punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili i ka qenë në krye të detyrës, pjesë e stafit të shoqërisë së sigurisë “Öktapus”.
Në orën 00.40, i ndjeri Pal Kola është gjendur në qendër të breshërisë me 25 plumba në drejtim të godinës së Top Channel.
Humbja e jetës së familjarit, të babait e bashkëshortit Pal Kola në krye të detyrës, është tronditja dhe goditja më e madhe për Top Channel.
Ngushëllojmë me hidhërim të thellë familjen Kola, duke qëndruar pranë tyre në përballimin e kësaj fatkeqësie.
Po ashtu, Top Channel shpreh qartësinë që ky akt terrorist i paprecedent, është kryer për të dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë.
Top Channel, është themeluar, krijuar me frymën e njeriut që ndërtoi jo vetëm idenë e një media shqiptare me vlera perëndimore, por dhe mbi të gjitha e një media që përfaqësohet nga grupi i madh i profesionistëve të shquar, figurave publike dhe intelektuale, që çdo ditë ne një transmetim të pandalshëm televiziv e jo vetëm, i shërbejnë publikut me dedikim të plotë.
Sulmet terroriste të këtij lloji tregojnë qartazi sa e rëndësishme është fjala e lirë sa shqetësuese për minuesit e demokracisë.
Në emër të detyrës më të lartë të cilës i kemi shërbyer, Top Channel do të vijojë të trashëgojë dhe të kryejë misionin e vet të fjalës së lirë ndaj publikut e shoqërisë shqiptare.
Në emër të këtij misioni, Top Channel kërkon dhe pret zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet ligjzbatuese.
Zbardhja e këtij akti duhet të jetë prioritet për organet ligjzbatuese, sepse është vrarë një punonjës i Top Channel, por gjithashtu është atentat ndaj televizionit që ka shërbyer në transparencë e mbështetjen e të drejtës duke kontribuar me informacion e ndërgjegjësim dhe fuqizim të institucioneve të së drejtës për shoqërinë shqiptare.
Ky akt terrorist është i papreçedent ndaj një media kombëtare, e lidhet vetëm me misionin e saj të fjalës së lirë.
Top Channel, aksionerët e tij e familjarët, drejtuesit, gazetarët e autorët, nuk kanë e nuk ka qënë kurrë objektiv i ndonjë sulmi individual që prej themelimit të tij, gjithçka në këtë akt terrorist, lidhet dhe ka të bëjë vetëm me misionin e Top Channel.
Ky krim i paprecedentë e akt terrorist, kërkon menjëherë reagim të përgjegjshëm e të ashpër nga Policia e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë, për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e vrasjes.
Top Channel, është e do të jetë, në shërbim të publikut shqiptar, pavarësisht presioneve të vazhdueshme të minuesve të demokracisë, të cilat i njohin dhe përballojnë të gjitha mediat e lira që adhurojnë e ndërtojnë përkrah vlerave perëndimore për ndërtimin e institucioneve dhe principeve të shoqërisë shqiptare”, thuhet në reagim.
Intinerari i autorëve, makina e djegur në Golem dhe armët e krimit
Për të kryer sulmin, dyshohet se autorët kanë ardhur nga Kashari në drejtim të Tiranës, në Mëzez. Sapo kanë kaluar godinën e televizionit janë kthyer nga ana e pasme duke qëlluar me armë zjarri.
Pas sulmit, autorët, të cilët dyshohet se janë më shumë se 3 persona, janë larguar në drejtim të Durrësit, pasi në Golem të Kavajës është gjetur e djegur një makinë tip “Range Rover”.
Nga kontrollet e policisë, në mjet janë konstatuar dy armë zjarri të tipi “kallashnikov”, me të cilat dyshohet se autorët kanë kryer krimin.
Mësohet se dy kamera sigurie kanë arritur të filmojnë qartësisht gjithë momentin e sulmit. Bëhet fjalë për një kamera të subjektit “Top Channel” dhe një kamera tjetër vetëm pak metra metra më tej nga godina e televizionit.
Ndërkohë, dëshmitarë okularë bëjnë me dije se numri i personave të përfshirë në këtë ngjarje ka qenë katër. Një roje në një objekt në zonën ku është djegur “Range Roveri” ka parë katër persona, të cilët pas i vunë flakët makinës, u larguan me një “Audi” dhe një “BMW”.
Si duket sot godina e Top Channel?
Pas sulmit me armë dhe vrasjes së Pal Kolës, janë siguruar dhe pamje nga godina e Top Channel, e cila është rrethuar me shirit si “skenë krimi”.
Nga pamjet shihet gardhi metalik rrethues, i shpura nga plumbat. Gjithashtu edhe xhamat e godinës janë shpuar nga breshëria e kallashnikovit.
View this post on Instagram
Siç theksuam dhe më lart, në vendngjarje janë gjetur 27 plumba.
Reagimet e institucioneve dhe politikës
Një ngjarje e tillë kriminale, ka sjellë sigurisht dhe reagime të shumta. Ndër të parët që reaguan ishin presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama.
Të dy bënë thirrje për zbardhje të ngjarjes dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve të krimit, ndërsa shprehën ngushëllime për familjen e viktimës.
Reagime ka patur dhe nga Ambasada Amerika, OSBE, BE, AMA, KLP, politikanë e shumë njerëz të tjerë, të cilët e cilësuan sulmin ndaj Top Channel si sulm ndaj lirisë së fjalës dhe po ashtu bënë thirrje për hetime të shpejta për të vënë para përgjegjësisë autorët.
Si e përjetuan sulmin banorët e Big Brother Vip?
Duke qenë se godina e Top Channel është ngjitur me shtëpinë e Big Brother Vip, disa banorë kanë dëgjuar të shtënat e armë, por nuk e kanë kuptuar se ku ka ndodhur.
Ka qenë Kristi, Nita dhe Qetsori të cilët në momentin e të shtënave, ishin në oborr duke bërë muhate.
Sapo është dëgjuar breshëria e plumbave, Kristi ka qenë ai që ka pyetur se çfarë po ndodh, ndërsa Qetësori i është përgjigjur se mund të jenë të shtëna me kallash.
Arsyet e këtij sulmi nga televizionit nuk dihen ende, ndërsa pistat ku po heton prokuroria janë disa./albeu.com