“E përdhunoi institucionin”, Balla për Metën: Duam një President që të çojë Shqipërinë në BE

Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë seancës plenare ka folur për zgjedhjet e 25 prilit si dhe për procedurat e nisura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta.

Balla tha nga Kuvendi se duhet një president që do të jetë mbi palët dhe do të kontribuojë në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Nuk dua të flas për procedurën e shkarkimit të Presidentit. Por dua t’ju them që unë vlerësoj që është në dinjitetin institucional të këtij Parlamenti që e mbyll mandatin në 9 shtator, t’ju them që në respekt të këtij dinjiteti institucional ne respektojmë vullnetin masiv të qytetarëve, tek demokratët e thjeshtë të këtij vendi që janë ndier më të fyer sesa ne që në krye të atij vendi vetëm President s’ka qenë. Meta e ka përdhunuar institucionin në mënyrën më të turpshme. Gjendet çdo provë juridike për ta shkarkuar. Kushdo që mendon se shkakrimi i  tij ka të bëjë me kapjen e presidencës e ka shumë gabim s’kemi asnjëlloj interesi. Ne duam të gjithë së bashku, që Shqipëria të ketë një president mbi palët. Një president që të punojë me të gjitha forcat politike dhe në çuarjen përpara të Shqipërisë në BE. Nuk duam president që të jetë ditën president dhe natën kryetar shtabi elektoral të një partie. Shqipëria meriton një hetim të plotë të sjelljes së Presidentit para dhe gjatë fushatës zgjedhore dhe natyrshëm që Kuvendi i Shqipërisë që është i pari në ndërthurjen institucionale që do të shprehet me votë. Do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të përcaktojë më pas. Në këtë këndvështrim biem të gjithë dakord, që presidenti duhet hetuar”, tha Balla.


Shtuar 4.05.2021 12:55