“E kam vëzhguar 3 ditë”, Ernejt Shyti  tregon detaje të reja nga vrasja e Behar Sofisë: Do kryheshin edhe 2 ekzekutime të tjera

Janë zbuluar detaje të reja në lidhje me vrasjen e Behar Sofisë dy vite më parë në kryeqytet.

Ernejt Shyti, i akuzuari për krimin, ka dhënë këtë të premte dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

Shyti, ekzekutori i biznesmenit, njëherësh bashkëpunëtor i drejtësisë, identifikoi si “Dajo” shtetasin Skënder Vathi, ndërsa “Djali i ri” bëri me dije se thirrej Lonard Xhixha.

Ai tha se me Vathin është takuar para ngjarjes tek terminali ndërqytetas i autobusëve pranë “Qytetit Studenti”, ndërsa ditën e ngjarjes nuk i kishte dalë në takim pranë liqenit artificial.

Shyti tregoi gjithashtu për dy vrasje të tjera që kishte përgatitur grupi, atë të një 34-vjeçari në Kamëz dhe të një tjetër shtetasi në Gjermani.

“Për asnjërin nuk kisha as emër as fotografi. Xhuljano Vishaj më kishte porositur por pa më dhënë detaje. Për vrasjen në Kamëz më kishte thënë që do e kryente vetë, ndërsa atë në Gjermani do e kryeja unë përkundrejt 500 mijë eurove”, ka thënë ai.

23 ditë ka zgjatur vëzhgimi i Behar Sofisë nga Ernejt Shytaj, madje tregon edhe një episod konkret.

“Disa ditë para ngjarjes, e kam ndjekur Behar Sofinë nga Piramida deri tek ish-ekspozita. E identifikova, por nuk e kreva dot vrasjen. Atentatin ndaj Behar Sofisë e bëra për 50 milion lekë, paratë nuk i mora asnjëherë, pavarësisht se Xhuljano Visha më kishte thënë se do ti merrja 3 ditë pas ngjarjes. Bujar Lezën e kam takuar për biçikletën, me Xhuljano Vishën, më pas më ka pyetur edhe nëse do i ndërroja rrobat kur të kryeja ekzekutimin. Mësova se Bujari i kishte thënë Xhulios se edhe armën e kishte gjetur. Vrasjen më tha Visha do e bënte për hasmëri, por se për çfarë dhe nga kush ishte porositur nuk e di. Ditën e krimit, nuk mu shkrep arma, e mbusha dhe pastaj qëllova dy herë. Skënder Vathi do më merrte te Liqeni Artificial, por nuk erdhi. Kam ikur drejt Malit të Zi me vëllain dhe Xhuljano Vishën, nuk kemi ndaluar askund as për të ngrënë. Për komunikim me anëtarët e gruoit, kisha një telefon të markës “Iphone” që ma dha Xhuljano Visha të cilit ia ktheva dhe një “Nokia” që ma dha Leonard Xhixha. Ky i fundit, kur kam kryer vrasjen, ka qenë duke vëzhguar shenjestrën, kur kaloi te trotuari, më ka thënë se jam këtu afër dhe se po shkonte te lokali”, ka treguar ai.