Prokurori i çështjes së vetëvrasjes së Bedrie Lokës ka deklaruar se ndalimi i bashkëshortit të saj, Xhemal Lokës, është i ligjshëm dhe kërkoi masën e sigurisë arrest me burg, pasi konsiderohet person me rrezikshmëri.
45-vjeçari Xhemal Loka u arrestua të shtunën pas hetimeve të para që nxorën në dritë se ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe në më shumë se një rast e ka kërcënuar me vdekje dhe në prani të fëmijëve.
Ndaj tij janë ngritur akuzat për “Shkaktim i vetëvrasjes” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”, ndërsa burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nuk përjashtohet as pista e vrasjes. Pas arrestimit Loka ka deklaruar se bashkëshortja u vetëvra për shkak se nuk përballoi bullizmin në rrjetin social TikTok.
Por dëshmitë e fëmijëve dhe pretendimet e familjarëve të viktimës, si dhe videot e gjetura në celularin e të arrestuarit konsiderohen prova për dhunën e vazhdueshme që ushtrohej ndaj 41-vjeçares, e cila përballej prej një viti dhe me thashethemnajën e nxitur kundër saj përmes shpërndarjes së fotove me fyerje në rrjetin social./albeu.com