Bullizimi në rrjetet sociale, flet psikologia: 41-vjeçarja në Durrës, ka qenë e dhunuar sistematikisht edhe në familje

Nisur nga rasti tragjik i një gruaje 41-vjeçare, e cila u vetëhelmua për shkak të denigrimit në rrjete sociale, Borjana Dine, Psikologe e Qendrës Kombëtare për Dhunën, në një intervistë televizive, foli mbi fenomenin e bullizimit në rrjetet sociale.

“Është e dhimbshme pasi sërish duhet të kemi një humbje jete që të ketë reagim Kemi një akumulim të asaj çfarë po ndodhte jo vetëm jashtë familjes dhe brenda saj. Për fat të keq ajo ka qenë e dhunuar edhe fizikisht. Dhe ne mendojmë se kjo ka ndodhur vetëm një herë, por ka qenë një dhunë e zgjatur në kohë.

Bashkëngjitur fenomenit online, kemi pasur një bllokim kaq të fortë emocional që e kanë shtyrë atë grua në atë akt.

Realisht ky është një krim dhe duhen marrë masa për parandalimin e këtyre ngjarjeve. Dhe përdorimi pa kriter i rrjeteveve sociale sidomos nga të rinjtë është një kambanë alarmi”, u shpreh Borjana Dine.

Bedrie Loka, i dha fund jetës në fshatin Sukth të Durrësit, duke pirë fostoksinë.

Shkak për fundin fatal të 41-vjeçares, sipas familjarëve, por edhe reagimit të policisë së Durrësit, u bë publikimi i disa videove-montazh në TikTok, me fotografinë e së ndjerës dhe një gjuhë denigruese dhe urrejtje ndaj saj.

Prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti, ku i dyshuar kryesor është dhe bashkëshorti i saj.