Në lidhje me vdekjen e katër turistëve rusë në një hotel në Kavajë, ka reaguar Prokuroria.
Prokuroria e Kavajës ka informuar në lidhje me ecurinë e hetimeve. Prokuroria bën me dije se janë marrë deklarimet e të gjithë personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, si dhe po vijon vlerësimi i provave në raport me njëra-tjetrën për të hedhur dritë mbi ngjarjen.
Njoftimi i plotë i prokurorisë:
Kavajë, 25 nëntor 2021. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, ka regjistruar procedimin penal Nr. 448/2021, parashikuar në Nenin 79 “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” të Kodit Penal, për ngjarjen e ndodhur datë 15.10. 2021, me pasojë vdekjen e 4 shtetasve rusë në mjediset e SPA të hotel “Gloria Palace”.
Në përgjigje të interesimit të medias informojmë opinionin publik se deri në këtë fazë të hetimit në dinamikë janë administruar një sërë aktesh e provash në funksion të çështjes të cilat janë në verifikim nga ana e prokurorisë. Janë marrë gjithashtu deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale. Të gjitha këto prova po vlerësohen në raport me njëra-tjetrën për të përcaktuar dhe ecurinë e mëtejshme të hetimit.
Duke kërkuar mirëkuptimin e medias dhe opinionit publik në ruajtjen e sekretit hetimor, sigurojmë angazhimin maksimal të prokurorisë në përfundimin e hetimeve në një kohë sa më shpejtë./albeu.com/