Lajm i mirë! Mbërrijnë 60 mijë doza Sinovac në Rinas

Këtë të diel kanë mbërritur në vendin tonë 60 mijë doza e tjera të vaksinës Sinovac. Ministrja Manastirliu ndodhej në aeroportin “Nënë Tereza” për të pritur ngarkesën e dozave të vaksinës Sinovac.

Ditën e hënë priten 14 mijë e 40 doza të tjera të vaksinës Pfizer, për të vazhduar me planin e vaksinimit masiv në vend, teksa muajin tjetër pritet të vijë një tjetër sasi vaksinash nga AstraZeneca.

“Sapo kanë mbërritur 60 mijë doza të vaksinës Sinovac, të cilat janë pjesë e kontratës së dytë. 60 mijë doza që do të përdoren për të gjithë qytetarët të cilët janë vaksinuar me dozën e parë, dhe duhet të vijojnë vaksinimin me dozën e dytë.

Në Shqipëri kanë mbërritur më shumë se 830 mijë doza në total. Deri ditën e djeshme janë vaksinuar rreth 712 mijë qytetarë. Situata në vend është normalizuar, ka një ulje të rasteve aktive, kjo falë vaksinimit masiv që ka dhënë impaktin e vet. Është gjithmonë vendi për të treguar kujdes, jemi të fokusuar të arrijmë 1 milionë vaksinime në muajin qershor”, tha Manastirliu.  /albeu.com/


Shtuar 23.05.2021 14:31