E FUNDIT/ Shkak akulloret, KLSH dërgon në gjykatë drejtorin e përgjithshëm të AKU, Bledar Skënderi

KLSH ka kallëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, drejtorin e AKU, Bledar Skenderi.

Burimet bëjnë me dije se Skenderi është akuzuar nga KLSH për shpërdorim detyre. Ky kallëzim vjen pas shumë skandaleve me ushqimet në Shqipëri, ku në akulloret të cilat konsumoheshin çdo ditë nga qytetarët u zbulua se gjendej “oksid etileni”, KLSH vlereson se drejtoria e Përgjithshme e AKU ka mosveprime të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin.

Për mosveprimet e Drejtorit të DPAKU, KLSH ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Njoftimi i KLSH:

Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke marrë shkas nga problematika e trajtuar në disa media, për t’iu përgjigjur ndjeshmërisë së publikut dhe informimit të tij për çështjet që lidhen me garantimin e sigurisë ushqimore, ushtroi jashtë  programit vjetor të miratuar, auditimin tematik në Drejtorinë e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me objekt: ”Mbi procedurën e ndjekur nga DPAKU nga marrja e njoftimit nëpërmjet sistemit RASFF (sistemi i njoftimit të shpejtë për ushqimin e popullatës dhe ushqimin për kafshë) për përdorimin e paautorizuar të substancës “oksid etileni” në prodhimin e produktit ”Akullore” (importuar dhe tregtuar në tregun shqiptar), deri në inspektimin, bllokimin, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e saj”.

Nga auditimi i ushtruar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e institucionit të drejtuar prej tij. Për mosveprimet e Drejtorit të DPAKU, KLSH ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. /albeu.com/

 

 

 


Shtuar 10.11.2021 17:58