Kërcënim? Ish-kandidatit për deputet iu vendos eksploziv në mesnatë

Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Bulqizë ku një makine iu vendos një sasi eksplozivi në mesnatë.

Burimet për albeu.com bëjnë me dije se makinë është në pronësi të shtetasit Elton Debreshi.

Debreshi është ish-kandididat i pavarur në zonën e Bulqizës në zgjedhjet e 25 Prillit. Pavarësisht se nuk mundi të futej në Kuvend, ai mori një mbështetje shumë të madhe nga qytetarët e zonës ku kandidoi.

Shpërthimi ndodhi në orën 01:00 të mëngjesit të sotëm në Bulqizë ku policia bëri me dije se u vu një sasi e vogël shpërthyese e cila shkaktoi vetëm dëme materiale.

NJOFTIMI I POLICISË:

Rreth orës 01.00, datë 27.08.2021, në pjesën e përparme të automjetit të shtetasit E. D., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohen se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Dibër po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, dhe kapjen e autorëve. /albeu.com/

 


Shtuar 27.08.2021 09:03