Greqia ka marrë vendim për masat kufizuese për COVID-19. Mediat vendase bëjnë me dije se masat kufizuese që janë në fuqi për njerëzit që udhëtojnë nga Shqipëria në Greqi mbetet në fuqi siç janë sot deri më 7 qershor, 2021.
Ndalimi i shqiptarëve që të udhëtojnë lirshëm drejt vendit fqinj vazhdon prej muajsh, ndërsa së fundmi është hapur kufiri për ata që mbajnë statusin e punëtorit sezonal.
“Masat kufizuese në fuqi për personat që hyjnë në Shqipëri nga Greqia do të vazhdojnë siç janë, nga sot deri në 7 qershor 2021,” njoftoi ambasada e Greqisë në Tiranë.
Rikujtojmë se në vendimin e fundit, Greqia vendosi të hapë kufirin me Shqipërinë vetëm për punëtorët sezonale, e vlefshme deri në datë 31 maj. Ndërkohë kategoritë e tjera nuk lejohen të kalojnë në Greqi.
Njoftimi i dates 22 maj:
Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë: Autoritetet e Policisë Greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, kanë njoftuar palën shqiptare se duke filluar nga dita e sotme, deri në datën 31.05.2021, nga ora 08:00-16:00, do të lejohet hyrja e shtetasve shqiptarë në drejtim të Greqisë, të cilët mbajnë statusin e punëtorit sezonal. Këta shtetas më parë, do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë COVID-19, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë.
Sqarojmë se kuota ditore e pranimit është 400 persona, të cilët gjithashtu duhet të plotësojnë formularin e regjistrimit PLF në adresën http://ëëë.travel.gov.gr dhe pasi të kenë marrë konfirmimin, mund të lejohen që të hyjnë në tokën greke.
Asnjë kategori tjetër nuk do të lejohet të hyjë drejt Greqisë (shërbim taxi, mjete të tonazhit të rëndë apo shtetas me leje qëndrimi, shtetas grekë apo europianë të tjerë). Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, për të gjithë shtetasit dhe kategoritë e mjeteve. /albeu.com/