Basha përjashton Berishën nga grupi parlamentar i PD (VIDEO)

Lulzim Basha ka dalë sonte në një deklaratë për media, ku ka folur për debatin e ditëve të fundit, për hyrjen ose jo të Sali Berishës në Kuvend, pasi është shpallur “non grata” nga SHBA.

Basha gjatë fjalës së tij tha se ka vendosur të përjashtojë Berishën nga grupi parlamentar deri në shqyrtim të pengesës ligjore me transparencë dhe zbardhjes ligjore.

“Partia Demokratike mbështet kërkesën për transparencë të bërë nga Z. Berisha, i cili ka ndërmarrë një vendim në mbrojtje të dinjitetit të tij, duke e kërkuar këtë transparencë edhe në rrugë gjyqësore.

Ndërsa ndjekja e rrugës ligjore për të kërkuar transparencë është e drejtë themelore e njeriut, në rastin konkret çështja është komplekse për shkak se përfshin Departamentin Amerikan të Shtetit.

Nga ana ime prej dy muajsh e gjysëm kam bërë të gjitha përpjekjet më intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë cështje.

Partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i pacënueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë, në interes të demokratëve, në interes të së ardhmes së Shqipërisë.

Me përkrahjen e SHBA, PD ka siguruar arritjet më të rëndësishme të saj në qeverisjen e vendit, nga të cilat kanë përfituar qytetarët shqiptarë.

Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë.

Z. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen.

Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës.

Rrugëtimi i Sali Berishës në politikë nuk ndahet dot nga rrugëtimi i Partisë Demokratike dhe sukseseve të saj në qeverisjen e vendit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Këtë e kam të qartë unë, e ka të qartë çdo anëtar i Partisë Demokratike, e ka të qartë kushdo.

Prandaj dhe ky vendim i sotëm nuk cënon aspak kontributin dhe arritjet e z. Berisha si lider historik i Partisë Demokratike dhe si President apo Kryeministër i Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve. Nuk cënon aspak atë që përfaqëson Sali Berisha për historinë e Partisë Demokratike.

Ky vendim i sotëm, aspak i lehtë për mua, si në aspektin politik, por mbi të gjitha në atë njerëzor, por besoj edhe për çdo demokrat, ka si udhërrëfyes të tij, si kurdoherë, vetëm interesin e demokratëve, interesin e Partisë Demokratike, interesin e qytetarëve shqiptarë.

Ju më keni besuar drejtimin e Partisë Demokratike për të marrë edhe vendime që lëkundin emocionet tona.

Mirëpo, secili prej nesh, duke nisur nga unë i pari, ka detyrimin për të sakrifikuar nga vetja për interesin e Partisë Demokratike, për interesin e demokratëve, për interesin e qytetarëve shqiptarë.

Vetëm në këtë mënyrë ne justifikojmë besimin e marrë ndër vite nga demokratët, dhe besimin që qytetarët shqiptarë kanë tek Partia Demokratike, si e vetmja alternativë qeverisëse që do të bëjë realitet ndryshimin real për shqiptarët dhe aspiratën e tyre për Shqipërinë si gjithë Europa” tha Basha./albeu.com

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Albeu.com (@albeucom)


Shtuar 9.09.2021 20:13