Atentati në Astir, ekzekutohen për vdekje dy pasagjerët në “Audi” (VIDEO)

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë në zonën e Astirit. Një makinë tip “Audi” është sulmuar me armë zjarri ndërkohë që ishte në semafor.

Burimet bëjnë me dije se nga ky atentat kanë ndërruar jetë të dy personat që gjendeshin brenda makinës.

Dëshmitarët pranë vendngjarjes bëjnë me dije se sulmi me armë ishte shumë agresiv në kohën kur dy viktimat ishin në semafor, gjë që ua ka bërë më të lehtë autorëve ekzekutimin.

Zona e mbipopulluar është mbushur me autoambulanca ndërkohë policia është në kërkim të autorëve për të cilët ende nuk ka asnjë detaj.

Rikujtojmë se Astiri është një ndër zonat më problematike për trafikun dhe mbipopullimin gjë që do ua bëjë të vështirë policisë kapjen dhe arrestimin e autorëve.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “2 rrathët” në Unazë të Re, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjeti tip “Audi”. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ishin brenda në mjet.

Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe grumbullimin e çdo prove që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. /albeu.com/


Shtuar 13.11.2021 20:06