E dënuar 10 vjet për mashtrim, kush është 43 vjeçarja e ekstraduar

Tre shqiptarë të dënuar e të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, janë ekstraduar dje nga Italia, Anglia dhe Sllovenia.

Mes të esktraduarve është edhe një 43-vjeçare nga Durrësi, e cila është dënuar me 10 vjet burg për mashtrim. Policia e Shtetit njoftoi dje se vijon bashkëpunimi i Interpol Tiranës me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar. Si rezultat i bashkëpunimit janë kapur në Itali, Angli e Slloveni, tre shtetas, të cilët janë ekstraduar drejt vendit tonë. Personat që ishin në kërkim nga drejtësia shqiptare, iu dorëzuan dje Drejtorisë së Burgjeve në Aeroportin e Rinasit. “Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Lubjanën, në Slloveni, Interpol Mançesterin, në Mbretëri e Bashkuar dhe Interpol Romën, në Itali, u bë i mundur arrestimi i tyre, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë”, tha dje zyrtarisht Policia e Shtetit.

Policia tha dhe se nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Italia drejt vendit tonë i shtetases shqiptare Dhurata Katreli, 43 vjeçe, banuese në Tiranë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetase me 10 vite burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.

U ekstradua nga Londra shtetasi Afrim Bardhoshi, 45 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2018, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, gjatë vitit 2013, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që kalonte në mënyrë të paligjshme shtetas shqiptarë nga Shqipëria në Angli.

Po nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Lubjana e Slloveni drejt vendit tonë, i shtetasit R. K., 58 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Në vitin 2014, në fshatin Mbrostar të Fierit, në kompaninë ku ky shtetas ishte inxhinier ka shpërthyer një kaldajë termoenergjetike me lëndë djegëse dhe si pasojë janë plagosur dy shtetas. Shtetasi R. K. në cilësinë e inxhinierit termoenergjetik kolaudues, gjatë testimeve që ka kryer nuk ka zbatuar rregullat e sigurimit teknik dhe rregullat e sigurisë në punë.


Shtuar 24.05.2021 09:42