Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë për 12 nga 14 të arrestuarit, të cilët janë pjesë e një grupi kriminal që kanë kryer krime. Gjykata vendosi masën e sigurisë “burg pa afat” për dy vëllezërit Beqiraj.
Dy vëllezërit, të cilët punonin si vrasës me pagesë kanë kërkuar të marrin statusin e të penduarit të drejtësisë dhe që familjarët e tyre të merren në mbrojtje nga policia në mënyrë që të zbardhin edhe vrasje të tjera të ndodhura në zonën e Durrësit dhe Tiranës.
Arrestim i vëllezërve çoi në zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale të ndodhura në vend si ajo e 4 janarit në Don Bosko ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën 4 të tjerë. Sipas dëshmisë së dy vëllezërve, krimi i Don Boskos u krye me urdhër të Kasandër Nogës, nga Kevin Zeneli, ndërsa ky i fundit u kishte kërkuar ndihmë për t’u arratisur jashtë vendit.