DETAJET/ Vëllezërit Beqiraj morën 150 mijë euro për kokën e Geron Hasenbelliut, ngatërruan objektiv

Të tjera detaje kanë dalë lidhur me masakrën e ndodhur në zonën e Don Boskos në Tiranë, ku mbeti i vdekur Erion Çela dhe u plagosën 4 të tjerë.

Sipas burimeve nga policia, vëllezërit Beqiraj që u morën peng në autostradën Tiranë-Durrës, kanë pasur rol aktiv në masakrën e Don Boskos, ku kërkohëj vrasja e Geron Hasanbelliut, e porositur nga Kasandër Noga.

Në një komunikim zyrtar policia e Durrësit ka dhënë detaje rreth operacionit të koduar ‘Porositësi’, ku edhe është goditur një grup kriminal i cili operonte jo vetëm në Durrës, por edhe në Tiranë.

Sipas policisë Gentian Beqiraj dhe Indrit Beqiraj, porositeshin nga 50 deri në 150 mijë euro për të kryer vrasje. Mes tyre është edhe plani për ekzekutimin e një personi në Tiranë si edhe nipërve të tij, po ashtu edhe plani për ekzekutimin e Rrumit të Shijakut.

“Në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga shtetasit K. Z. alias K. S. dhe I. F., për llogari të shtetasit K. N., kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit A. M., në qytetin e Durrësit”, sqaron policia.

Më tej thuhet: “Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të behej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit G. B. dhe I. B. nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.  Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias E. Ç. dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit”

Njoftimi i plotë policisë:

“Në vijim të hetimeve të thelluara, të nisura më parë nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka rezultuar se personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, nga viti 2021 dhe në vazhdim. Shtetasit G. B. dhe I. B., në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga shtetasit K. Z. alias K. S. dhe I. F., për llogari të shtetasit K. N., kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit A. M., në qytetin e Durrësit. Për realizimin e kësaj veprimtarie, 2 vëllezërit janë paguar paraprakisht me një shumë prej 6000 eurosh. Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit. Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të behej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit G. B. dhe I. B. nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.

Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias E. Ç. dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.

Në lidhje me planifikimin dhe marrjen e porosisë për vrasjen e shtetasit A. M., nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij. Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje.

Nga hetimet e thelluara rezulton se prosositësi i dy vrasjeve të mësipërme është shtetasi K. N., i cili aktualisht është i arrestuar në Belgjikë. Ky shtetas ka porositur shtetasin K. Z., i cili ka paguar dy vëllezërit, për krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve. Gjithashtu, dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e shtetasve S. Z. dhe I. H. Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022.