Dyshohej se transportin 200 kg kokainë, 3 shqiptarë shpallen të pafajshëm, i katërti dënohet me 3 vite burg në Holandë

Gjykata e Roterdamit liroi të premten tre shqiptarë, që dyshohej se ishin përfshirë në kontrabandën e 200 kilogramëve kokainë nga Belgjika në Holandë, ndërkohë që një i dyshuar i katërt është dënuar me tre vjet burg. Një çelës në makinën ku u gjetën 200 kilogramë kokainë çoi në zbulimin e një vendi tjetër, ku policia gjeti 22 kilogramë të tjerë.
Prokuroria Publike konstatoi se kundër katër të dyshuarve kishte prova të mjaftueshme për përfshirje në transportin e 200 kilogramëve kokainë dhe posedim të 22 kilogramëve në shtëpinë e fshehtë në Capelle aan den IJssel. I dyshuari kryesor 25-vjeçar u kërkua të dënohej me shtatë vjet burg, ndërsa tre të dyshuarit u kërkua të dënoheshin me pesë vjet burgim.
Megjithatë, gjykata vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme se kishte ‘bashkëpunim të ngushtë dhe të vetëdijshëm’. Sipas gjykatës, nuk mund të vërtetohet se tre të dyshuarit kanë qenë në dijeni të faktit se 25-vjeçari po transportonte ngarkesën e kokainës me makinën e tij. Ata janë shpallur të pafajshëm nga akuzat për bashkëpunim në importimin e kokainës dhe mbajtjen e drogës në shtëpinë e fshehtë. Në fund të shtatorit, tre nga katër të dyshuarit u liruan. Ata u lejuan të prisnin vendimin në liri.


Shtuar 13.10.2024 13:59