Dy pistoleta me silenciator, municion luftarak dhe thika, arrestohet 24-vjeçari “i rrezikshëm” në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar një 24-vjeçar i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Uniformat blu kanë ndaluar shtetasin Wasim Hajazi, i cili sapo pa policinë tentoi të largohet me vrap duke hedhur sendet e paligjshme.

“Në rrugë operative në rrugën “Fuat Toptani” kanë ndaluar për kontroll një mjet tip “Benz” me drejtues shtetasin W. H. Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, njëra me silenciator, municion luftarak, 2 mjete prerëse (thika), 1 përforcues grushti dhe sende të tjera të kundraligjshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” i shtetasit W. H., 24 vjeç, i dënuar më parë për veprat “Trafikimi i qenieve njerëzore” dhe “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 


Shtuar 10.09.2021 09:13