Dy kandidatë do të garojnë kundër Putinit në zgjedhjet presidenciale në Rusi

Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë njoftoi të premten se i ka regjistruar dy kandidatë të cilët do të garojnë kundër Vladimir Putinit në zgjedhjet presidenciale në mars.

Komisioni ua pranoi kandidaturat Leonid Slutskyt, kryetarit të komisionit për punë të jashtme në dhomën e ulët të Parlamentit të Rusisë, si dhe Vladislav Davankovit, nënkryetarit të dhomës së ulët të Parlamentit.

Zgjedhjet presidenciale në Rusi do të mbahen më 17 mars.

Stutsky është anëtar i partisë nacionaliste, Partia Liberale Demokratike, ndërsa Davankov vjen nga Partia e Re e Popullit.

Asnjëri prej tyre nuk pritet të jetë në gjendje ta sfidojë Putinin, megjithatë.

Rivalët kryesorë të Putinit, Aleksei Navalny dhe Vladimir Kara-Murza, janë duke kryer dënime të rënda me burgim, për të cilat thonë se janë të motivuara politikisht.

Për Putinin, 71-vjeçar, zgjedhjet janë formalitet, me mbështetje të mediave shtetërore, dhe pothuajse asnjë zë kundërshtar, si dhe burgosje të figurave opozitare.

Mbështetësit e Putinit besojnë se ai e ka rikthyer rendin, krenarinë kombëtare dhe një pjesë të ndikimit të humbur gjatë shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik.

Disa e justifikojnë edhe luftën e Rusisë në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022, të cilën Putin e përshkruan si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Putinit iu dorëzua mandati i presidentit nga Boris Yeltsin në vitin 1999 dhe prej atëherë ka qëndruar në pushtet si president apo kryeministër.

Një mandat i ri do ta mbante atë në pushtet të paktën deri në vitin 2030.