Dy herë më shumë se në 2017, zbulohet sa para do të përfitojnë PS, PD e LSI për zgjedhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot fondin paraprak për partitë politike në Shqipëri sa i takon fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit.

Bazuar në votat e marra në zgjedhjet e fundit, “pjesa e luanit” i takon Partisë Socialiste, të cilës i janë akorduar 55.8 milionë lekë. E dyta në listë është Partia Demokratike që përfiton në këto zgjedhje 33.3 milionë lekë.

Ndërkaq kanë përfituar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, për të cilën akordohen 18.9 milionë lekë, dhe PDIU që do të marrë 5.55 milionë lekë.

Sa i takon partive më të vogla në garë, Partia Republikane merr 3.9 milionë lekë, FRD merr 2.1 milionë lekë, Partia Social-Demokrate 1.6 milionë lekë, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 1.4 milionë lekë dhe Bindja Demokratike 1.4 milionë lekë.

KQZ bën me dije se fondi i buxhetit të shtetit për zgjedhjet e 25 prillit është dy herë më i madh se ai për zgjedhjeve e vitit 2017.