Qarkullimi në autostradën Durrës-Tiranë është vështirësuar ndjeshëm mesditën e kësaj të hëne, pas dy aksidenteve të ndodhura në kahe të ndryshme të rrugës. Në përplasjet janë përfshirë gjithsej tetë automjete, duke krijuar radhë të gjata dhe pengesa në lëvizje.
Aksidenti më i rëndë ka ndodhur pranë Sukthit, në drejtim të Tiranës, ku janë përplasur shtatë mjete. Sipas informacioneve paraprake të drejtuesve të automjeteve që ndodheshin në vendngjarje, fillimisht janë goditur dy makina, ndërsa disa metra më tej pesë automjete të tjera janë përfshirë në një përplasje zinxhir.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, pothuajse në të njëjtën kohë, një tjetër aksident është regjistruar në kahun Tiranë-Durrës, pranë Maminasit. Dy ngjarjet kanë sjellë bllokim pothuajse të plotë të autostradës, ndërsa vargu i automjeteve të bllokuara në trafik është zgjatur deri në hyrje të Tiranës.
Policia e Durrësit bëri të ditur se nga të dyja aksidentet nuk ka persona të plagosur dhe se janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Shërbimet e policisë rrugore vijojnë të jenë në terren, ku po marrin masa për normalizimin e qarkullimit dhe po hetojnë për përcaktimin e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të përplasjeve.
