Autobusi i “Besa Trans” në të cilin të martën e humbën jetën 46 persona në autostradë në Bullgari, nuk ka qenë i lajmëruar tek institucionet kompetente në shtet, mëson Dojçe Vele.
Në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve janë duke u analizuar dokumentacionet e transportuesit “Besa Trans”, autobusëve të tij si dhe shoferëve profesional të paraqitur.
DË shkruan se të dhënat e deritanishme thonë se autobusi i djegur aspak nuk ka qenë i paraqitur nga pronari dhe nuk figuron në sistemin e Ministrisë. Pronari i agjencisë nuk ka nxjerr patentë për atë makinë, ndërsa autobusi fare nuk është në bazën e të dhënave të ministrisë.
Ende po kontrollohet nëse dy shoferët që kanë drejtuar me autobusin kanë pasur certifikatë dhe nëse janë të paraqitur nga ana e pronarit të agjencisë.
Procedurën e ndërlikon fakti që ende nuk janë të njohur emrat e të gjithë personave që kanë humbur jetën në tragjedinë e cila ndodhi të martën në mëngjes në afërsi të Pernik, Republika e Bullgarisë. /DW/