Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka kërkuar ndryshimin e ligjit për prokurorët e SPAK, me qëllim që ata të kenë mundësi për rikandidim pas mbarimit të mandatit 9-vjeçar.
Gjithashtu, ai shprehet se ligji është i paqartë për fatin e prokurorëve pas mbarimit të mandatit.
“Statusi aktualisht parashikon që prokurorët e SPAK pas përfundimit të mandatit 9 vjeçar të kthehen në prokurorinë ku kanë ushtruar më parë funksionin. Për shkak të ndryshimit të hartës një pjesë e këtyre prokurorive nuk ekzistojnë. Adnani nuk di ku të shkojë se është shkrirë prokuroria e krimeve të rënda.
Është investuar aq shumë për ngritjen e tyre profesionale jo vetëm nga shteti por dhe ndërkombëtarët. Këta janë aset. Nuk kemi luksin ti çojmë në një vend tjetër. Nuk kemi aq burime njerëzore, e të kualifikuar dhe me integritet sa të plotësojmë boshllëqet e krijuara. Rivlerësim dhe dhënie mundësie për të kandiduar. Do të thotë unë si Altin Dumani do të vij të konkurroj. Nuk thashë të emërohet automatikisht”, tha Dumani.