Shqipëria është kthyer në një vend paradoksesh dhe i çudirave të mëdha, me raste, edhe qesharake.
Ti mund të ndërtosh pa leje, por ligji zbatohet joproporcionalisht. Nëse je i pafuqishëm do të ndeshesh me shtetin e pamëshirshëm, që nuk ngurron të përdorë edhe forcën policore.
Nëse je i madh, edhe pse ke ndërtuar kate të tëra e pallate pa leje, shteti do të vihet në dispozicionin tënd, do të kthejë përmbys ligjet e parimet, që paligjshmëria të amnistohet dhe të legalizohet.
Dhe ti, sërish, nuk e ke frikë ligjin (nëse je i madh gjithmonë!), sepse e di që, çfarëdo të ndodhë, shteti do të kujdeset që sërish t’ia hedhësh.
Ti jeton në një vend, ku qeveria mburret që çdo shërbim e ke online, ku kryeministri u bën presion bankave të kopjojnë modelin dhe sistemin e tyre. Por, të dhënat e tua dalin sheshit dhe askush nuk mban përgjegjësi. Shteti bie pre e një sulmi kibernetik, si asnjë vend tjetër në Europë.
Pavarësisht shpenzimeve të mëdha, ende jo të publikuara se sa, që bëhen çdo vit për mirëmbajtjen e sistemit informatik shtetëror, sërish askush nuk mban përgjegjësi apo bën transparencë, se cila është arsyeja që sistemi ishte aq i brishtë ndaj sulmeve të tilla, cili është dëmi real i pësuar, apo qoftë për të kërkur falje për problemet që u janë shkaktuar qytetarëve e bizneseve nga kufizimi i shërbimeve. Për të mos folur pastaj për ironinë, për shtetin që doli në shitje, për vetëm një mijë euro!
Je në vendin e kontrasteve, ku policët bashkiakë nuk ngurrojnë të sekuestrojnë spinaqin e preshin te fshatarët që shesin në rrugë dhe, nga ana tjetër, buxheti vazhdon të paguajë për inceneratorët, që nga hetimet po provohet se janë një nga shpërdorimet më të mëdha në historinë e pas tranzicionit.
Dhe nuk janë të vetmit. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) detajoi, në raportin e fundit, se për periudhën janar – qershor 2022, nga auditimet e kryera, që kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 64 subjekte, duke përfshirë të gjitha nivelet e qeverisjes dëmi ekonomik, si efekt i parregullsive, si dhe shkeljet e disiplinës financiare, i ka kushtuar buxhetit të shtetit rreth 263 milionë euro. Kjo shumë është 5 herë më e lartë sesa fondi i akorduar nga qeveria për mbrojtjen nga kriza!
Ti jeton në një vend, që është ndër të parët në Europë për burime hidrike dhe ka diell në pjesën më të madhe të vitit. Sërish je mjaft i ekspozuar ndaj krizës globale, për shkak të investimeve të pamjaftueshme dhe vonesave në diversifikim. Ti do ta paguash tani energjinë 4.4 herë më shtrenjtë për konsumin mbi 800 kWh në muaj.
Qeveria fshihet pas gishtit, me argumentin se vetëm 4% e familjeve konsumojnë më shumë sesa ky kufi, por nuk pranon të bëjë transparencë se sa është pesha e familjeve që shpenzojnë më shumë sesa kaq në muajt e dimrit, sidomos në zonat urbane. Për më tepër, del një përfaqësues i qeverisë që thotë se shqiptarët paguajnë faturat më të ulëta të energjisë në botë(!?)
Dhe natyrshëm ti thua: Dua dhe unë të shkoj në këtë Shqipërinë, ku paguaj më pak se të gjithë për energji, ku shteti është model zhvillimi i IT, ku drejtësia e reformuar është e barabartë për të gjithë!
Seriozisht, përtej shakasë, dua të jetoj në Shqipëri, por në atë që duhet të jetë në të vërtetë. Dua të jetoj në vendin që i shfrytëzon me zgjuarsi dhe vizion të gjitha potencialet, të cilat ia ka dhënë nëna natyrë.
Në atë Shqipëri, ku qeveria ka si përparësi zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj dhe jo duke shpërdoruar paratë e taksapaguesve, në koncesione e tendera abuzivë. Aty ku të rinjtë të shohin një shpresë për të ardhmen dhe të mos nxitojnë të ikin sa më parë.
Dhe jo vetëm të rinjtë, por edhe familjet që nuk arrijnë të shohin dritë në të ardhmen. Ne e duam në çdo moment Shqipërinë, me të mirat e të këqijat e saj! Ne nuk duam talljen e një qeverie, që nuk ndihet pjesë e këtij vendi.
Që të kthehet shpresa sa vendi nuk është zbrazur ende, qeveria duhet ta marrë seriozisht popullin e saj dhe anasjelltas, ky i fundit duhet të rrisë presionin mbi institucionet shtetërore.