Droga me velierë, RENEA i “qepet” Gëzim Çelës! Kush është bosi i Fushë Kuqes?

Gëzim Çela, është njëri nga personat e dyshuar dhe shpallur në kërkim për tentativën e trafikimit të drogës me varkë velierë nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Teksa në detin Adriatik, policia sekuestroi 28 kg hashash dhe arrestoi dy korrierë ukrainas, në tokë forcat e RENEA-s, kanë kryer mbrëmjen e djeshme një kontroll të imtësishëm në banesën dhe restorantin e Çelës, “Royal Blu” që ndodhet në Patok.

Nga ky kontroll policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e Gëzim Çelës, që njihet ndryshe me nofkën “Baroni i drogës” me bazë në Fushë Kuqe. Në vend të Gëzim Çelës, RENEA, arrestoi si të implikuar në këtë trafik droge kushëririn e tij, 30-vjeçarin Nerim Çela.

Çela, rezulton i dënuar me 10 vite burgim nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por që nga viti 2015, policia nuk ka mundur ta lokalizojë dhe arrestojë, megjithëse ka pasur mjaft informacione se ai qëndron i lirë në zonën e lagunës së Patokut.

Grupi ku ai është dënuar për herë të parë, përbëhej nga Valentina Tufina e njohur si “Tezja e Kokainës”, Fran Mërdhoci, Alfred Mikeli, Arif Çela, Viktor Lekgega, Reald Hysolli etj./ Elton Qyno-oranews


Shtuar 16.08.2023 17:16