Nën moton “Stop ekzekutimit të shqiptarëve” dhe “Drejtësi për Learin”, ka nisur protesta sot në orën 18:00 para Ministrisë së Brendshme. Qytetarët janë mbledhur në shenjë revolte për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti.
Ata kërkojnë drejtësi për vdekjen e tij dhe zbardhjen e së vërtetës si dhe dorëheqjen e ministrit të brendshëm Bledi Çuçi dhe Drejtorit të AMP Ardi Veliu.
Kjo është protesta e dytë që po zhvillohet pas vdekjes së të riut në komisariat, ngjarje kjo që pasoi me një sërë reagimesh politike e jo vetëm.
Tubimi i sotëm është mbështetur dhe nga kreu i PD-së Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë të opozitës të cilët në rrjetet e tyre sociale bënë thirrje që të gjithë qytetarët të dalin bashkë kundër kësaj qeverisjeje që po u merr jetën të rinjve shqiptarë.
Rikujtojmë se edhe ditën e premte u protestua para Ministrisë së Brendshme për rreth një orë, protestë e cila nuk u shoqërua me dhunë.