Drama e vajzës në Tiranë: E ftoi i dashuri për kafe por e dhunoi barbarisht

Duroi disa herë dhunën fizike me shpresën se ish i dashuri do ta harronte dhe se do pajtohej me vendimin e saj për t’u ndarë. Por rrahja barbare e fundit e ka bindur të renë nga Tirana me inicialet J.K se për të nuk kishte asnjë shpresë dhe dritë jeshile në rast se nuk njoftonte policinë. Kur policët kanë mbërritur në rrugicën ku ndodhej denoncuesja është shtangur nga hematomat e shumta në fytyrë, në krahë, këmbë e madje edhe shenjat e djegies në qafë dhe në kraharor.

Burimet policore të gazetës Si treguan se menjëherë janë vënë në kërkim të burrit të dhunshëm që është një i ri me inicialet A.B, i cili mbasi u gjurmua përfundoi në gjendje arresti për akuzën e dhunës në familje. Siç bëjnë me dije burimet e sigurta të drejtorisë vendore të policisë, e reja vendosi t’i jepte fund historisë që nisi në muajin prill 2021 mbas dhunës së papërballueshme, që ishte jo vetëm psikologjike, por edhe fizike. Ajo e njohu partnerin në ambientin e punës dhe i ngjau se ishte personi i duhur. Nuk është menduar gjatë, por ka vendosur të bashkëjetojë dhe brenda mureve ka nisur jeta e vështirë të cilës ajo i ka dhënë fund duke i kërkuar partnerit që secili të vazhdonte rrugën e tij.

“Dhuna e tij ishte pa shkaqe dhe ishte banale, më akuzonte pa asnjë shkak dhe arsye dhe pa asnjë fakt konkret. Në kushtet e marrëdhënies së acaruar në muajin korrik i dhashë fund lidhjes”, thotë e reja në polici.

Sipas dëshmisë së vajzës pranë policisë së kryeqytetit, kur ditët kishin kaluar dhe ajo po përpiqej të merrte veten, ish i dashuri e ftoi për kafe krejt qetësisht

“Isha për kafe me shoqen në një lokal dhe i tregova dhe e ftova aty. A. B mbërriti në lokal dhe më pas më kërkoi një çast të shkoja pak tek makina e tij. U shkëputa dhe në momentin që hipa në makinë, A.B mbylli mjetin dhe filloi të më godasë me grushte në kokë, fytyrë dhe trup. Po përpiqesha të mbrohesha dhe në këtë çast m’u shkul njëri nga thonjtë që e mbushi këmishën e A. B me gjak”.

E reja kujton për këtë rast se pikërisht bërja pis e këmishës e ka inatosur akoma më tej ish të dashurin e saj.

“Që prej këtij momenti ai nuk ndalonte duke më qëlluar barbarisht dhe gjatë kësaj kohe dëgjova zërin e shoqes që nga xhami bërtiste dhe kërkonte të hapte derën e makinës”. Gjatë këtyre përpjekjeve të mikes, vajza ka arritur të shpëtojë nga duart e të akuzuarit dhe ka nxituar të dalë jashtë. Por ky nuk ishte fundi.

Ish i dashuri ka vijuar kërcënimet në telefonin e mikes duke i përmendur se në rast njoftimi të policisë edhe ajo do kishte të njëjtin fat. Me ditët që po kalonin, ish i dashuri i vajzës ka gjetur si shkak sendet personale për të ritakuar J.K.

“Erdhi poshtë shtëpisë dhe kërkonte disa veshje që i kishte lënë aty dhe me pretendimin se nuk po i jepja rrobat më goditi derisa doli kamerieri dhe e ndaloi”, kujton kallëzuesja.

E bindur se nuk kishte më asnjë shpëtim prej tij, J. K vendos të marrë një banesë tjetër me qira, për adresën e të cilës nuk do t’i tregojë askujt. Por ndërkohë që po bënte gati kutitë ka rënë sërish telefoni dhe pavarësisht se ka tentuar ta shmangë, ish i dashuri e priste në rrugicë.

“Më tërhoqi në një vend të errët dhe më rrahu. Fillova të qaj dhe ju përgjërova që së paku të më linte të merrja shoqen time. Ai më fiku cigaren e ndezur në gjoks duke e shtypur sa mundi dhe duke më sharë u largua”.

Policia thotë për gazetën Si se e njoftuar nga e reja ka konstatuar në trupin e saj nxirje në pjesën e fytyrës në të dy sytë, djegie në formë sferike në qafë dhe në kraharor, të nxira në ballë, skuqje poshtë veshëve në dorën e djathtë dhe gërvishtje në krahë e në duar.

Menjëherë sapo ka gjetur adresën e dhunuesit policia nuk ka hezituar por e ka arrestuar teksa ai është justifikuar menjëherë.

A.B tha; dhuna ka qenë reciproke dhe ajo më ka goditur, herën e fundit bëmë debat për rrobat dhe në nerva e sipër i hodha cigaren e ndezur që ju fik menjëherë. Por policia deklaron për gazetën Si se pavarësisht kësaj dëshmie A. B, nuk rezultoi të kishte asnjë shenjë në trup që do ta vërtetonte këtë alibi ndaj dhe e arrestoi për dhunë të përsëritur ndaj ish të dashurës.


Shtuar 6.09.2021 12:00