Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka shtyrë seancën për 7 të pandehurit e dosjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, çështja e të cilëve është ndarë për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Seanca e radhës do të mbahet më datë 3 qershor.
Të lidhura
None found
Shkak u bë mungesa e një prej avokatëve të të pandehurve. Në seancën e sotme pritej të lexohej pretenca e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj të pandehurve.
Të pandehurit që do të gjykohen me gjykim të shkurtuar janë Elman Abule, Fatmir Bektashi, Mirton Lika, Adela Kondakçiu, Fatjon Baci, ish-deputetja e PS Klotilda Bushka dhe Frosina Bollo – OJF “Frobolous”.
Elman Abule akuzohet për pastrim parash, Fatmir Bektashi për korrupsion aktiv, Mirton Lika për fshehje të ardhurash, ish deputetja Klotilda Bushka akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës ndërsa Fatjon Baci për futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Edhe Adela Kondakçiu akuzohet për pastrim parash ndërsa Frosina Bollo për korrupsion aktiv.
DOSJA VELIAJ
Sipas SPAK, Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve të paligjshme në burg. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion në 9 raste për pastrim parash, mosdeklarim pasurie në dy raste dhe fshehje të të ardhurave.
Sipas hetimeve, Veliaj dhe Xoxa kanë përfituar në mënyrë të parregullt para dhe pasuri të paluajtshme në 9 raste të ndryshme nga kompani ndërtimi dhe OJF, të cilat në këmbim kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia.
Në këtë skemë, sipas SPAK, janë përfshirë edhe një sërë personash të tjerë. Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha dhe Sokol Kryeziu akuzohen për korrupsion aktiv, pasi dyshohet se kanë dhënë përfitime në këmbim të favoreve publike. Elman Abule, Valmir Xoxa dhe Adela Kondakçiu akuzohen për pastrim parash, ndërsa Linda Kazani, Erald Simixhiu dhe Ina Goxhaj akuzohen si për korrupsion aktiv ashtu edhe për pastrim parash.
Po ashtu, Frosina Bollo akuzohet për korrupsion aktiv, Mirton Lika për fshehje të ardhurash, ish deputetja socialiste Klotilda Bushka akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës, Flutur Xhani për deklarime të rreme dhe Fatjon Baci për futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Nën akuzë janë vendosur edhe disa kompani dhe OJF, të cilat, sipas SPAK, kanë pasur rol në dhënien e përfitimeve dhe pastrimin e parave.
