DOSJA/ Sulmet kibernetike, dy metodat që përdorën iranianët për të hyrë në sistemet online

ABC ka zbardhur detaje të tjera lidhur me dosjen hetimore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë lidhur me sulmet kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkoi sot masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për 5 punonjës në sektorin e IT-së (teknologjisë së informacionit), në Departamentin e Administratës Publike.

Megjithatë kërkesa e prokurorisë nuk është marrë parasysh nga Gjykata e Shkallës së Parë, pasi ata kanë vendosur një masë me të butë për 5 punonjësit përgjegjës për të dhënat e shqiptarëve. ABC mëson se Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur si masë sigurie “Detyrim Paraqitje”, për 5 punonjësit e teknologjisë së Informacionit pranë DAP.

Prokuroria këto urdhër ndalimi i ka lëshuar në kuadër të hetimeve për sulmet kibernetike të kryera nga Irani ndaj portaleve shtetërore të shërbimeve online. Konkretisht punonjësit e IT-së, Alketa Sulo, Altin Sallaku, Rudina Llagami, Igli Lubonja, Albi Gjeka, kanë shpërdoruar detyrën, pasi duhet të kërkonin raportim nga operatori ekonomik që ishte përgjegjës për situatën e sigurisë në faqen e administrata.al edhe për antiviruset që përdoreshin për mbrojtjen e kësaj faqeje.

Sulmi Kibernetik ndaj Shqipërisë, sipas Prokurorisë, kishte si qëllim të vetëm aktin kriminal për shkatërrimin e të gjithë sistemeve dhe të dhënave duke kthyer Shqipërinë dekada pas në një terr teknologjik me zero digjitalizim.

Mes të tjerash prokuroria shprehet se partnerët e Shqipërisë , si Microsoft, FBI, dhe CISA kanë ofruar suport dhe kanë bashkëpunuar me ekipet shqiptare me praninë e tyre fizike në agjencinë pas sulmit në datën 15-16 korrik 2022.

Paralelisht të gjithë gjetjet dhe indikatorët e këtij sulmi konstatohet se agresioni kibernetik është një sulm shtetëror nga qeveria Iraniane. Kryesisht Ministria e Inteligjencës dhe Garda Revolucionare Islamike Iraniane.

Është përdorur teknologjia, “Proxy” për mbulimin e prejardhjes së komunikimit. Nga komunikimet e shkëputura përkohësisht kanë dalë qartë që mbrapa këtij sulmi fshiheshin IP iraniane. Për marrjen e të dhënave nga infrastruktura është përdorur një “Cyper tool” i krijuar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane për të hackuar “email”. Irani është i vetmi vend në botë që fushën kibernetike e ka në nivele ministrie, pikërisht për të treguar rëndësinë që ka për ta ky aktivitet.

I njëjti hakerim është përdorur edhe për sulme ndaj Emirateve të Bashkuara, Arabisë Saudite, Kuëaiti, Joradanisë, Izraelit, Qipros.

Po ashtu është përdorur metoda Zeroclear, e cila gjithashtu është e lidhur me Ministrinë e Inteligjencës Iraniane (MOIS) ku burimi i licencave është ndarë mes aktorëve të ndryshëm iraniane.