Ermal Kurtulaj është liruar nga qelia këtë të enjte me vendim të GJKKO-së. Masa e sigurisë ndaj tij është ndryshuar nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Lehtësimi i masës u vendos pas kërkesës së Kurtulajt, e paraqitur pasi dosja SASPAC u rikthye në SPAK për plotësimin e hetimeve. Prokurorja Elida Kaçkini ka kohë deri më 30 tetor për të kryer veprimet hetimore që mungojnë.
Të lidhura
None found
Edhe ish-ministri Ilir Beqaj, i cili ka mbajtur njëkohësisht detyrën e drejtorit të SASPAC, pritet t’i kërkojë GJKKO-së ndryshimin e masës së sigurisë.
Me urdhër të SPAK, Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024 nën dyshimet për abuzime me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Ndaj ish-ministrit janë ngritur akuza për pesë vepra penale: “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tenderë”, “falsifikim dokumentash”, “mashtrim” në bashkëpunim dhe “mosdeklarim pasurie”.
