Tentativa për të grabitur miliona në një banke të nivelit të dytë në zemër të Tiranës, pak ditë më parë u zbulua krejt rastësisht nga asistentja e drejtoreshës së filialit.
Etleva P, iu shpjegoi hetuesve se ishte ajo bashkë me një koleg ishin përgjegjësit për hapjen dhe mbylljen e filialit.
Më datë 18 shkurt 2022, ditë e premte, punonjësja ka shpjeguar se bankën e kanë mbyllur në orën 18:20 dhe nuk kanë konstauar asnjë problem.
Tri ditë më vonë, të hënën e 21 shkurtit, ajo është paraqitur në punë në orën 08.20 të mëngjesit, ka hapur filialin dhe pas mbërritjes së punonjësve të tjerë, bashkë me një kolege kanë hapur edhe ambjentet e thesarit.
Një orë me vonë, asistentja e drejtoreshës, shpjegon se konstatoi probleme.
“Një orë pas hapjes së filialit zbrita në kuzhinë që të merrja një gotë ujë. Teksa kthehesha, ratësisht ktheva kokën nga arshiva dhe pashë një pllakë dyshimeje, që dukej e thyer. U afrova dhe pashë nga afër. Kuptova që pllaka ishte hequr. Në moment ndeza ditën e telefonit dhe tek vendi ku ishte hequr pllaka pashë gjashtë vrima të cilat ishin pak më të mëdha sesa madhësia e stilolapsit”, shpjegon punonjësja e bankës.
Në moment, gruaja shpjegon se njoftoi përgjegjësin e sigurisë për të gjithë objektin si dhe punonjësin e sigurisë së thesarit.
Ndërkohë që është njoftuar edhe departamenti i sigurisë. Punonjësja e bankës ka sqaruar se në bankë, kishin mbërritur vlera të konsiderueshme monetare.
“Shumën nuk e di, pasi këtë informacon e ka vetëm Thesari Qendror”, thekson ajo. Grabitësit po përgatiteshin të hynin në bankën e nivelit të dytë përmes një tuneli nëntokësor në bulevardin Zogu I. Për ditë të tëra, ata kishin gërmuar poshtë godinës së bankës dhe nëse nuk do të ishte njoftuar policia, ata do të realizonin megagrabitjen. Në vendin e gërmimeve, policia gjeti veglat dhe rrobat e punës së tyre.