Pamje nga brenda tunelit, plani gjenial për grabitjen e bankës në Tiranë “u shkërmoq” nga një detaj (VIDEO)

Kanë dalë pamje të reja nga tentativa për grabitjen e bankës pranë bulevardit Zogu i Parë në kryeqytet.

Kanë qenë lëvizjet e dyshimta të një personi ato që kanë çuar “dëm” planin gjenial për grabitjen e Bankës së nivelit të dytë.

Ai ishte i kamufluar me veshjen e punonjësve të mirëmbajtjes. Teksa policia iu vu në ndjekje, ai hodhi në pusetë një armë pistoletë, që më pas u dërgua në laborator për të përfituar shenjat e gishtave.

Hetuesit kanë dyshime se grupi i grabitësve kishin dijeni të plotë mbi planimetrinë se ku të nxirrte ky tunel, ndërsa kanë përfituar edhe nga zhurma që bëhej nga matrapiku për prishjen e një pallati aty pranë.

Fillimisht policia mblodhi informacion përmes qytetarëve e më pas në rrugë operative arriti të provojë vërtetësinë e lajmeve të grumbulluara.

Objekt hetimi tashmë janë edhe disa punonjës të mirëmbajtjes së tuneleve nëntokësore apo elektricistë. Ata kanë pasur planimetrinë e zonës dhe dyshohet se kanë bashkëpunuar me grabitësit duke ua vënë atë në dispozicion.

Policia është duke kryer veprime që do t’i çojnë deri në identifikimin e autorëve. Ndërsa referimi në Prokurori është kryer për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.