Ditën e premte, kandidati republikan për president në SHBA, Donald Trump, u tha të krishterëve se nëse votojnë për të këtë nëntor, “pas katër vjetesh, nuk do të kenë nevojë të votojnë më”.
Nuk ishte e qartë se çfarë donte të thoshte ish-presidenti me komentet e tij, në një fushatë zgjedhore ku kundërshtarët e tij demokratë e akuzojnë atë si një kërcënim për demokracinë dhe pas përpjekjes së tij, për të përmbysur humbjen e tij në vitin 2020 ndaj Presidentit Joe Biden, një përpjekje që çoi në kryengritje në Kapitolin e SHBA më 6 janar 2021, shkruan Reuters.
Trump po fliste në një ngjarje të organizuar nga grupi konservator Turning Point Action, në West Palm Beach, Florida.
“Të krishterë, dilni dhe votoni, vetëm këtë herë. Nuk do t’ju duhet ta bëni më. Edhe katër vite, e dini çfarë, do të rregullohet, do të jetë mirë, nuk do të duhet të votoni më, të krishterët e mi të bukur”, tha Trump.
Ai shtoi gjithashtu: “Unë ju dua të krishterë. Unë jam i krishterë. Unë ju dua, dilni, duhet të dilni dhe të votoni. Pas katër vjetësh, nuk keni pse të votoni më, do ta rregullojmë shumë mirë. nuk do të duhet të votoni”, u shpreh Trump.