Lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski është një nga miqt e afërt të kryeministrit slloven Janez Jansha, i cili këtyre ditëve po përflitet për përgatitjen e një dokumenti “non paper” bashkë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, përmes të cilit propozojnë ndryshimin e kufijve në Ballkan.
Mickoski theksoi se sot ka komunikuar me kryeministrin slloven Janesh Jansha, i cili ka mohuar se është autor i ndonjë dokumenti që flet për ndryshimin e kufijve në Ballkan. “Unë kam folur sot me Jansha pasi që jemi miq. Ai tjetër më tha diçka tjetër dhe refuzon dokumentin, duke theksuar se nuk është i vërtetë ai dokument dhe nuk ka dalur nga ai”, theksoi Mickoski në intervistën për Kanal5, përcjell INA. Sipas tij, Jansha e ka njoftuar se eurodeputetja sllovene Tanja Fajon dhe Zoran Zaev kanë bërë një non paper tjetër që e kanë shpërnda në Evropë dhe presim të dal. Mickoski nënvizoi se e ardhmja e Ballkanit nuk është tek ndryshimi i kufijve, por bashkimi në BE. Ai theksoi se nuk mbështet idetë për ndryshim të kufijve.
Ditë më parë ka reaguar edhe kabineti i presidentit të vendit, Stevo Pendarovski. “Pa marë parasysh a ekziston dokument i tillë, ose jo, qëndrimi i presidentit Pendarovski moti kohë është i ditur dhe shumë herë i përsëritur, se çdo ndryshim i kufijve në Ballkan nuk do të kontribuojë për stabilizim të rajonit”, kanë thënë nga kabineti i Pendarovskit për “Slloboden Peçat”.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë se nuk posedojnë informacion për ekzistimin e “non pejperit” të tillë.
“Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, integriteti dhe sovraniteti i saj territorial është betonuar dhe në këtë kuptim nuk ekziston kurrfarë rreziku. Republika e Sllovenisë ka qenë dhe mbetet përkrahëse e fuqishme e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe kjo është dëshmuar shumë herë deri tani në vepër. Ballkani mundet vetëm të integrohet në BE, që popujt të jetojnë më mirë. Nga ajo perspektivë, në të ardhmen presim heqje të kufijve në pajtim me politikat kufitare evropiane”, kanë deklaruar nga Qeveria në Shkup.
Komentet pasuan shkrimet e ditëve të fundit në Bosnjë dhe Kroaci për një dokument joformal (non-paper) me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan. Dokumentet e tilla janë joformale dhe shtrohen në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së. Mediet kroate e boshnjake thanë se një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, i është dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe në të propozohet ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon. Të enjten portali slloven “Necenzurirano.si” publikoi një dokument që pretendon se është kopje e dokumentit. Sipas atij dokumenti propozohet ripërcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina si dhe bashkimi i një pjese të Bosnjës perëndimore me Kroacinë.(INA)