Udhëheqësi i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, kërcënoi me ndarjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnjës, për shkak të një mosmarrëveshjeje që përfshin një ligj për pronën.
“Ne po shqyrtojmë seriozisht marrjen e një vendimi për pavarësi dhe shkëputje të Republikës Sërpska [nga Bosnja], nëse nuk zgjidhet çështja e pronës”, tha Dodik.
Ai i bëri komentet në Beograd, ku u prit nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Republika Sërpska është përpjekur disa herë që të zbatojë një ligj për pronën, që parasheh transferimin e pronës shtetërore të Bosnjës te Republika Sërpska – pavarësisht se është konsideruar jokushtetues.
Ligji përfaqëson një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj vendimeve të mëparshme të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, për të shfuqizuar dekretin që ka krijuar ligjin dhe për ta pezulluar atë deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.
Republika Sërpska thotë se ligji synon të sigurojë që pronat e përdorura nga autoritetet e këtij entiteti – duke përfshirë qeveritë lokale, ndërmarrjet publike, institucionet publike dhe departamentet e tjera të themeluara nga Republika Sërpska – t’u përkasin atyre.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ka deklaruar se Parlamenti i vendit duhet të miratojë një ligj për pronën që do të ishte i vlefshëm në të gjithë Bosnjën, e jo vetëm në njërin nga dy entitetet e vendit.
Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, e cila i ka dhënë fund luftës civile në Bosnje, ka krijuar një sistem administrativ sipas të cilit Bosnja mbetet e ndarë midis entitetit serb – Republika Sërpska – dhe Federatës Boshnjake-Kroate.
Dodik, i cili është sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania për përpjekje për destabilizim dhe për korrupsion, ka kërcënuar disa herë se do të kërkojë pavarësinë e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnjës.
Ai e refuzon rregullimin administrativ të këtij vendi dhe autoritetin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, që mbikëqyr aspektet civile dhe të tjera të Marrëveshjes së Dejtonit./REL/