DETAJET/ Do të takonte dy vajza, Can Kariçi eci i plagosur nga plumbat 100 m e vdiq

Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e ndodhur pak ditë më parë ku ndërroi jetë Can Kariçi.

Burimet bëjnë me dije se para se të ndërronte jetë nga breshëria e plumbave që u derdhën mbi të nga persona ende të paidentifikuar, Can Kariçi lëvizi i plagosur me makinë për gati 100 metra.

Grupi hetimor ka rindërtuar edhe një herë dinamikën se si u ekzekutua 30 vjeçari me origjinë nga Dibra e banues në Kamëz.

Sapo doli nga lokali ku kishte konsumuar kafe me dy shokë e një shoqe të tijën, 30 vjeçari hipi në makinën Golf me targa gjermane dhe menjëherë sapo ndezi makinën u qëllua me breshëri kallashnikovi.

Nga vendi ku autorët hapën zjarr, kamerat kanë fiksuar se për gati 100 metra, Kariçi ka lëvizur me makinë i plagosur. Ai ndërroi jetë në makinë, trupi i të cilit u diktua nga kalimtarët e zonës. Hetimet kanë zbuluar se 30 vjeçari i ishte drejtuar zonës së Institutit, aty ku e priste një tjetër vajzë për takim.

Kjo e fundit kishte shkuar në këtë zonë me taksi dhe me mesazhe i kishte treguar Kariçit vendin se ku e priste. Në sajë të tabulateve telefonike, policia mundi të identifikojë vajzën. Ajo u mor në pyetje duke deklaruar se nuk ka pasur dijeni për problemet e të riut.

Hetuesit janë në pritje të zbardhjes së plotë të tabulateve telefonike për të parë bisedat e fundit që ka bërë viktima dhe kush janë personat që kanë komunikuar me të, shkruan Abc.

Policia është në pritje të përgjigjes nga laboratori shkencor për pistoletën që viktima kishte me vete, për të verifikuar nëse është përdorur ose jo në ndonjë ngjarje kriminale. Si pistë kryesore është duke u hetuar përplasja mes grupeve kriminale. Ndërsa në makinën Audi me targa të huaja që autorët dogjën në Institut bashkë me kallashnikovin brenda, nuk është mundur të përfitohet asnjë provë e rëndësishme për hetimin. /albeu.com/

 


Shtuar 25.12.2021 15:34