“Do të rrjedhë i lirë përgjithmonë”, Leonardo di Caprio reagon pas shpalljes së lumit Vjosa Park Kombëtar

Aktori dhe aktivisti, Leonardo DiCaprio ka reaguar pas shpalljes së lumit Vjosa Park Kombëtar.

Ai e quan një ditë historike shpalljen Park Kombëtar Vjosën, ndërsa falënderon të gjithë personat që kontribuuan.

“Sot është bërë historia. Bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, shoqërisë civile dhe biznesit ka krijuar Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë. Lumi Vjosa do të rrjedhë i lirë përgjithmonë, nga burimi në det, për ta shijuar brezat e ardhshëm. Një vizion i ri për ruajtjen globale të ujit është këtu. Urime për të gjithë ata që e bënë realitet këtë përpjekje të mahnitshme”, shkruan Di Caprio.

Tre ditë më parë qeveria shpalli Park Kombëtar, lumin Vjosa, që është lumi i fundit i egër në Evropë.

Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së ekzekutivit shqiptar më 13 mars dhe u bë publik nga ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro. Shpallja e lumit Vjosa Park Kombëtar nënkupton se nuk do të lejohet asnjë ndërtim që cenon luimin, përfshirë këtu edhe hidrocentralet që kanë shkaktuar debat në madh në Shqipëri, por kanë sjellë edhe reagimin e disa organizatave ndërkombëtare.

Në janar të këtij viti, lumi Vjosa mori statusin Park Natyror. Nisja e ndërtimit të disa hidrocentraleve në lumin e Vjosës alarmoi shumë ambientalistë vendas dhe të huaj, të cilët nisën një fushatë për mbrojtjen e këtij lumi.

Më herët kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka deklaruar se “shpallja si Park Kombëtar do të pasurojë brezat që do të trashëgojnë Vjosën në një mënyrë që është një rrugë e re e pashkelur në Evropë”.

Ai gjithashtu ka deklaruar se Qeveria ka anuluar planet e saj të ndërtimit për tetë hidrocentrale në Vjosë dhe degët e saj që do të prodhonin energji elektrike.
Sipas ambientalistëve, digat do të kishin shkaktuar dëme serioze në lumë.

Lumi Vjosa, i gjatë 270 kilometra, rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.

Shkencëtarët thonë se ekosistemi i Vjosës është habitati për 1.100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes. Vjosa gjithashtu ka vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60.000 shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj.

/albeu.com/


Shtuar 16.03.2023 07:14