Faturat tejet e larta të rrymës i detyroi disa qytetarë të dalin në protestë para EVN-së në Aerodrom dhe ta shprehin revoltën e tyre. Marrin fatura më të larta se të ardhurat mujore, madje edhe konsumatorët që nuk ngrohen me rrymë.
“Sot dola në protestë, sepse mora faturë prej 39.000 denarëve. Për muajin dhjetor fatura ishte 34.000. Le të më tregojë kryeministri si ta paguaj faturën për rrymë kur marr pagë minimale prej 18.000 denarëve? Le të më tregojë dhe do ta paguaj”.
“Jetoj vetëm dhe me pension prej 14.000 denarëve, kurse rryma më erdhi 7.000 denarë që nuk është konsumuar”.
Ngroheni me energji elektrike?
Jo, nuk ngrohem me rrymë, por me shporet me vajgur, gatuaj me vajgur, asnjë kafe nuk bëj në shporet elektrik. Kafen, çajin e bëj me vajgur, dritat i fik, po rri në errësirë që të mos harxhoj rrymë. Po dëgjoj në televizion se duhet kursyer, e unë kursej maksimalisht. Edhe kur e mora faturën, për pak do të përjetoja sulm në zemër”, u përgjigj qytetarja.
“Sipas tarifës së re, 17.169 denarë. Pensionin e kam 10.500 denarë, marr pension invalidor. Si do ta paguani faturën? Nuk e di as unë”.
Qytetarët ankohen se me orë të tëra presin që t’i tregojnë vërejtjet e tyre. Nga dy sportele punon vetëm një. Neve nuk na lejuan që të incizojmë në rrethin e EVN-së.
“Vij këtu, pres dy orë para derës, hyj, askush nuk më jep përgjigje. Thonë, sa keni shpenzuar e mat matësi juaj”.
“Nuk e di se ku të drejtohem. Të presësh dy orë për t’u dhënë të holla atyre që të bëjnë zhvatje dhe të vjedhin çdo ditë, nuk ka asnjë kuptim. Në Tokio të jetosh nuk do të paguash 650 euro për energji elektrike. Katastrofë, të shkretë qytetarët e këtij shteti”.
“Unë e kam lexuar matësin, atë që e kam lexuar dhe faturën që e mora, të vijnë shërbimet e tyre dhe t’i krahasojnë dhe të ma dërgojnë faturën e vërtetë. Prandaj erdha por nuk mund të vij në radhë, nuk mundem të pres 2-3 orë për t’ua treguar këtë gjë. 58 kërkesa për të hyrë, deri më tani kanë hyrë vetëm 17”.
“Faturat arrijnë dhe çdo herë në to shkruan borxh i papaguar, kush e di se çfarë bëjnë. Duam që postieri të na sjellë faturat në fshatin Vince, Kumanovë, siç ka qenë në të kaluarën. Tani do t’i hedhë në një objekt të kishës, të shkosh atje do të gjesh mbi 300 fatura në një vend”.
Faturat për energji elektrike në dimër janë më të larta se në muajt e tjerë, për shkak se një pjesë e qytetarëve nuk kanë opsion tjetër për ngrohje, thonë nga EVN-ja. Në rajonin e Shkupit është regjistruar konsumim i shtuar i rrymës. Rritja e çmimit të rrymës sipas tyre ka rol minimal.
“Në disa prej pyetjeve të konsumatorëve në lidhje me faturat, është konstatuar se në pjesën më të madhe bëhet fjalë për aq kilovatë të konsumuar sa figurojnë në faturë, ndërsa në disa raste bëhet fjalë për shumë më e lartë nga ajo reale sepse matësi nuk ishte lexuar, ose për shkak të rrafshimit nga periudha e kaluar kur matësi nuk ka qenë i lexuar. Konsumatorët presin për pranim në zyrat e EVN-së varësisht nga kërkesa që e parashtrojnë”, thanë nga EVN.
Theksojnë se konsumatorët për çdo ankesë mund të lajmërohen në numrin telefonik, t’i dërgojnë përmes postës elektronike ose të vijnë në qendrat e EVN-së për konsumatorë. Oda Ekonomike për Energjetikë dhe kompanitë, më 25 shkurt do të dalin në protestë para Qeverisë, ku edhe një herë do t’i përsërisin kërkesat dhe zgjidhjet e tyre për dalje nga kriza energjetike./TV 21/