Dy rusë të cilët “shpërndanin materiale propogandistike” të organizatës paraushtarake ruse Wagner në Varshavë dhe Krakov, u arrestuan në Poloni, njoftoi sot ministri i brendshëm polak.
“Ata të dy u akuzuan për spiunazh dhe u arrestuan”, njoftoi Mariusz Kaminski në X, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Shërbimi i kundërzbulimit polak sqaroi se dy rusët, të cilët janë identifikuar si Alexei T. dhe Andrei G., u arrestuan të premten pasi “kishin shpërndarë 300 njoftime në vende publike në Krakov dhe Varshavë” , dy qytetet më të mëdha të vendit. Njoftimet i referoheshin “vendeve të rekrutimit” për organizatën Wagner.
“Rusët kishin në posedim më shumë se 3,000 pjesë të materialit propagandistik në favor të organizatës Wagner, të cilat u ishin dhënë atyre në Moskë ”, tha agjencia.
Dy burrat, të cilët do të merrnin “më shumë se 500,000 rubla” (rreth 4500 euro) për këtë aktivitet, pritej të largoheshin nga Polonia të shtunën e kaluar, tha gjithashtu i njëjti burim.
Mediat polake raportuan javën e kaluar për ngjitëse me logon Wagner dhe shenja në anglisht duke thënë “Ne jemi këtu, bashkohuni me ne”, si dhe kode QR që ridrejtohen në një faqe interneti ruse për kompaninë mercenare në fjalë.
Sipas “Gazeta Wyborcza”, afishet i janë vënë në dukje policisë polake nga banorë të Krakovit dhe kryeqytetit Varshavë.
Polonia kohët e fundit kishte paralajmëruar kundër sfidave të mundshme nga organizata mercenare.
Lituania dhe Polonia kanë paralajmëruar vazhdimisht aleatët e tyre të NATO-s se mercenarët e Wagner mund të paraqiten si azilkërkues dhe të përpiqen të kalojnë kufirin midis Bjellorusisë dhe BE-së.
Varshava planifikon të vendosë rreth 10,000 trupa si një pengesë në kufirin e saj lindor me aleatin e Moskës, Bjellorusinë./Albeu.com/