“Do të krijojmë një botë të re…”, Putin: Nuk e nisëm ne luftën në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar sot se misioni i Moskës është të krijojë një ‘botë të re’, ndërsa ka fajësuar Perëndimin për fillimin e luftës në Ukrainë.

“Ne nuk e filluam të ashtuquajturën luftë në Ukrainë. Përkundrazi, ne po përpiqemi t’i japim fund asaj”, u shpreh Putin gjatë forumit politik Valdai në Soçi. “Ne kemi për detyrë, në thelb, të ndërtojmë një botë të re”, shtoi ai.

Putin tha se askush në botë nuk do të përdorte armë bërthamore kundër Rusisë dhe se armiqtë e mundshëm kanë dijeni të plotë për arsenalin bërthamor të Rusisë.

Udhëheqësi rus shtoi se konflikti në Ukrainë nuk ishte “territorial” dhe se Moska “nuk ka interes të pushtojë disa territore”.

Ai pohoi se Ukraina ka humbur më shumë se 90,000 trupa që nga fillimi i kundërsulmimit në fillim të qershorit dhe gjithashtu tha se Kievi ka humbur 557 tanke dhe rreth 1,900 automjete të blinduara.


Shtuar 5.10.2023 18:51