“Djali pa të ëmën të vdekur në tokë”, rrëfimi rrëqethës i bashkëshortit të shqiptares që vdiq në Itali

jë vdekje misterioze ishte ajo e shqiptares Sonila Cani në Torino të Italisë më 21 Mars, ku 22-vjeçarja, nënë e një fëmije, u gjet e vetëvarur në tualetin e banesës.

Autoritetet italiane si dhe prindërit e vajzës, nuk përjashtojnë pistën e vrasjes, teksa i kanë konsideruar rrethanat e ngjarjes si të dyshimta.

Ishte bashkëshorti i saj, Kreshnik Cani, personi që e gjeti të pajetë brenda apartamentit të renë. Emisioni Uniko ka zbardhur dëshminë e tij, të cilën e ka dhënë edhe para hetuesve italianë.

Në dëshminë e tij, Kreshnik Cani tregon përse doli nga banesa atë ditë të dielë dhe kur u kthye gjeti gruan të pajetë.

Dëshmia e plotë e Kreshnik Canit:

Kreshnik Cani: Unë kam dalë nga shtëpia ime atë ditë më datë 21 Mars 2021 për të pirë kafe dhe për të blerë cigare, dhe do të kthehesha përsëri në shtëpi te gruaja ime dhe te djali. Kam dalë rreth orës 12:30 ndërkohë kur kam dalë jashtë shtëpisë më ka marrë në telefon një shoku im dhe më ftoi për një kafe në një bar jo larg shtëpisë që unë jetoja me familjen time. Unë ju përgjigja që sot është e dielë dhe do dal me familjen time në një park aty afër. Ai rezistoi të më thoshte hajde pi një kafe dhe të merrja syzet e diellit që unë kisha harruar një ose dy ditë më parë në shtëpinë e tij. Vendosa të shkoja ta takoja shokun tim që më priste në një bar aty afër.

Duke shkuar te bari ku shoku im më priste, kam folur me gruan time Sonilën për ta vënë në dijeni që po shkoja të merrja syzet që kisha harruar te shtëpia e shokut tim 2 ditë më parë dhe që ai më priste në një bar afër shtëpisë tonë për të m’i dhënë. Gruaja ime Sonila  më tha të mos vonohesha se ishte pa cigare dhe mbi të gjitha do dilnim bashkë me djalin në një park. Mbërrita te bari ku shoku im më priste për të më dhënë ato të mallkuara syze. Më fton për të pirë një gotë raki me të. Ju përgjigja se nuk kam kohë dhe se duhej të kthehesha në shtëpi se do dilja me familjen time në park. Por ai nuk e di pse ngulmonte për të qëndruar dhe të pija një gotë raki me të. Vendosa të pija një kafe dhe një gotë raki me shokun tim.

Më kujtohet që shkruaja me gruan time Sonilën për ta vënë në dijeni ku ndodhesha. Mbarova kafen dhe rakinë që piva me shokun tim dhe doja të ikja të kthehesha në shtëpi te familja ime që më priste. Shoku im ngulte këmbë që të pija edhe një gotë tjetër. Vendosa të pija akoma dhe një gotë me shokun tim.

Njëkohësisht vazhdoja të komunikoja me gruan time që më priste bashkë me djalin në shtëpi. Pasi mbaruam së piri dhe gotën e dytë, më kërkoi ta shoqëroja në një bar tjetër ku unë dhe gjithë shokët e tjerë frekuentonim shpesh. I thashë që e kam ekzagjeruar dhe që mirë për në park vajti vonë për të dalë me familjen time, por e kam lënë dhe gruan time Sonilën pa cigare në shtëpi.

Nuk ndihesha mirë ta lija shokun tim në atë mënyrë pasi ai kishte bërë goxha rrugë në këmbë për të më sjellë syzet që kisha harruar në shtëpinë e tij 2 ditë më parë. Vendosja ta shoqëroja shokun tim te bari që unë dhe shokët e mi frekuentonim shpesh. Rreth orës 14:30 pak a shumë arritëm te bari tjetër. Aty vura re që shoku im ngulte këmbë për të vazhduar akoma të pinim, pasi kishim rënë dakord që unë do ta përcillja deri aty te bari dhe jo të vazhdonim të pinim. Morëm akoma për të pirë dhe më kujtohet që deri në atë moment komunikoja vazhdimisht me gruan time Sonilën duke e vënë në dijeni për vonesën time.

Në orën 15:00 më vjen një foto e djalit tonë duke fjetur nga telefoni i gruas time, më poshtë një SMS “shiko çunin”, gjë që nuk e kuptoja çfarë donte të thoshte.

Dal jashtë nga bari dhe i shkruaj se çfarë ka djali, por pashë që SMS-të që unë i shkruaja, gruaja ime nuk po i lexonte. Provoja vazhdimisht t’i telefonoja dhe t’i shkruaja gruas time Sonilës por asnjëherë nuk u përgjigj. Mendova se gruaja ime Sonila që nuk më përgjigjet do ta ketë zënë gjumi bashkë me djalin tonë të vogël dhe se ajo kishte gjumin e rëndë, ose do ketë lënë telefonin silencioz për të evituar zhurmën se djali po flinte. Të them të drejtën nuk u shqetësova aq shumë se më kishte rastisur dhe herë të tjera në të kaluarën që për shkak të gjumit të rëndë që gruaja ime Sonila kishte, unë jam gdhirë te dera e shtëpisë. Atë ditë 21 Mars 2021 kur ora ishte pak e shumë 15:30 unë ndodhesha jashtë barit duke kërkuar të komunikoja me gruan time, mbërrin një BMV e bardhë Seria 1, aty zbret një djalë që 5-6 ditë më parë me anën e disa shokëve të tjerë, nuk më kishte pëlqyer ky djalë, emrin nuk ia di. Vura re se në makinën e bardhë tip BMV Seria 1 ndodhej në vendin e guidës një person që diku e kisha parë. E theksoj përshkrimin e makinës BMV me ngjyrë të bardhë se disa ditë më parë gruaja ime Sonila më kishte thënë që i kishte rënë disa herë në sy afër shtëpisë tonë kjo makinë ngjyrë e bardhë. Pak pas mbërritjes së këtij djali që emrin nuk ia di, vendosa të ikja në shtëpi. Por shokut tim nuk i mjaftonte me aq shoqëria ime dhe më kërkoi akoma ta shoqëroja në shtëpinë e vetë sepse gruaja e vetë i bënte llafe. Arsyeja që unë ta shoqëroja shokun tim deri në shtëpinë e vetë, ishte që gruaja e tij nuk i bënte llafe po të ishte në shoqërinë time pasi unë isha një shok i mirë për gruan e tij. Isha në një pozitë të vështirë dhe vendosa ta shoqëroja dhe një herë shokun tim për në shtëpinë e vetë. Mbërritëm në shtëpinë e shokut tim. Nga bari deri te shtëpia e tij përsëri në këmbë. Më bënte çudi përse nuk mund të lëviznim me urban ose tram, por përgjigjia e tij ishte se na bënte mirë të ecnim në këmbë.

Pasi kishim mbërritur në shtëpinë e tij, kam qëndruar për pak kohë në shoqërinë e shokut tim dhe gruas së tij. Kam dalë nga shtëpia e shokut tim dhe jam nisur drejt shtëpisë time. Një pjesë rruge me tram dhe pjesën tjetër në këmbë. Pak a shumë kam mbërritur në shtëpi rreth orës 16:30. Dua të bëj një përshkrim të detajeve kur unë kam hyrë në shtëpi.

Kam hyrë në shtëpi nga dritarja e banjos për arsye se djalin jonë na kishte humbur çelësat. Kishim disa ditë që djali jonë na kishte humbur çelësat dhe kush hynte në shtëpi dhe dilte mbyllnim derën nga brenda. Hapa dritaren e banjos dhe pashë gruan time të varur, menjëherë kërceva brenda në banjo dhe e zgjidha menjëherë pasi më dukej sikur ishte ende gjallë. E nxorra nga banja dhe e lashë shtrirë në dyshemenë e kuzhinës dhe vrapova menjëherë për të parë djalin që flinte në dhomë. Në banjo poshtë këmbëve të gruas time ku ishte varur gjeta telefonin e saj, e mora dhe telefonova në ËhatsApp me videokamera pjesëtarët e familjes time që ndodhen në Londër.

Telefonova pjesëtarët e mi me telefonin e saj sepse ajo kishte një raport të mirë me pjesëtarët e familjes time dhe fliste shpesh herë në grup në ËhatsApp. Isha i shokuar dhe nuk dija ç’të bëja. Djali u zgjua nga të bërtiturat e mia dhe me të ëmën e vetë shtrirë në dyshime filloi të qante.

Ndërkohë isha duke folur me pjesëtarët e familjes time për t’u treguar çfarë kishte ndodhur, ju thoja çfarë të bëj se më duket akoma gjallë. Familjarët e mi më thanë merr në telefon ambulancën dhe ashtu bëra. Me telefonin tim kam marrë ambulancën. Duke pritur ambulancën kërkova t’i jepja ndihmë gruas time për ta ringjallur por pa rezultat. Vura re, me vonesën e ambulancës, gruaja ime Sonila me dukej sa herë e më e ftohtë. Nga të thirrurat e mia dolën disa komshinj dhe më thanë se çfarë ka ndodhur dhe nëse doja ndihmë.

Ju kërkova më ndihmoni të më merrni djalin pasi gruaja ime ishte varur dhe djali po terrorizohej. Menjëherë më erdhën në ndihmë komshinjtë dhe e morën djalin që qante me të madhe. Pas pak ka ardhur policia dhe ambulanca në vendngjarje. Pas pak minutash një doktoreshë doli nga shtëpia duke më thënë që të shoh çunin dhe që gruaja ime nuk ia doli dot mbanë.Më kujtohet që mora vrull dhe desha të hidhesha nga ballkoni, por policët më kapën në kohë dhe më bllokuan. Që nga ai moment nuk mbaj mend asnjë gjë, e pashë veten të lidhur në një barrelë në spital dhe me serum në krah. Kam dalë nga spitali dhe kam shkuar në shtëpi, dhe aty gjeta rrëmujë të paparë më para. M’u kujtuan lekët që ne kishim në shtëpi, një shifër jo e vogël prej 17 mijë Euro. Ato mungonin. Mendova si për lekët dhe telefonin mbase i ka marrë policia pas kontrollit që ata kishin bërë. Kam marrë vesh pas disa ditësh nga policia që telefoni i gruas time dhe 17 mijë Euro nuk i kishte policia. Dyshimet e mia sot për sot janë edhe më të sigurta që gruaja ime nuk është vetëvrarë. Unë e gjeta gruan time të varur në një banjo që është shumë e ngushtë dhe pak a shumë 2 metra e lartë. Këmbët i kishte në tokë me gjunjë të përthyer, një shenjë të madhe në qafë ngjyrë kafe që për mua nuk kishte lidhje me shallin që ajo e kishte pothuajse nën mjekër, dhe shenja e dukshme, dorën e majtë nga pulsi i dorës e komplet pëllëmbën e dorës e kishte të vrarë ngjyl vjollë, dhe syrin e majtë të çjerrë.

Një pjesë e fytyrës afër veshit të djathtë dukej fort mirë e goditur pas disa ditësh që e pashë në morgun e Torinos. Me gjithë këto shenja dhe lekët e humbura dhe disa kërcënime që më kanë ardhur në telefonin tim, SMS me kërcënime që mua më kanë ardhur bëhet fjalë pikërisht disa ditë më parë dhe bëhet kërcënim pikërisht për gruan time Sonilën. Këto SMS që mua më kanë ardhur m’i ka dërguar një tjetër shoku im./tv klan

Shtuar 4.05.2021 02:05

Tags: , ,