Ditëlindja mund të ishte kthyer në tragjedi! Kush janë dy të plagosurit me armë në Tapizë dhe si pronari i lokalit tentoi të fshihte ngjarjen

Mbrëmjen e djeshme pas një sherri në një lokal ku po festohej një ditëlindje në Tapizë, për motive të dobëta, 25-vjeçari Xhentil Sefa ka nxjerrë armën dhe nën efektin e alkoolit, ka qëlluar shokun e tij, 24-vjeçarin Hygert Muja. Më pas, në sherr e sipër, Muja është vetëplagosur me armë në dorë.

Policia ka arrestuar dy të rinjtë, që ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu dhe pronarin e lokalit, Flogert Kallarin, blutë e Krujës e kanë arrestuar pasi ka tentuar të fshehë ngjarjen, duke zhdukur nga skenë pistoletën dhe gëzhojat.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Krujë

Plagosi me armë zjarri, një shtetas (shok i tij) dhe më pas veten, vihet në pranga 25-vjeçari.

Në pranga edhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, për prishje të vendit të ngjarjes dhe fshehje të provave.

Arrestohet   edhe një shtetas tjetër (shok i shtetasve të plagosur),  për moskallëzim të krimit.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pistoletë me të cilën u krye plagosja.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Krujë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xh. S., 25 vjeç, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 24 vjeç, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi: F. K., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë, rezulton se këta shtetas ishin ulur së bashku në të njëjtën tavolinë, në lokalin e shtetasit H. M., në Qerek Tapizë.

Dyshohet se në gjendje të dehur, shtetasi Xh. S., ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe në rrethana ende të paqarta, ka plagosur shtetasin L. C. (shok i tij) dhe më pas është vetëplagosur në dorë. Të dy shtetasit e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën.

Po nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi H. M., pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, ka fshehur armën e krimit, ka hequr gëzhojat nga vendngjarja dhe ka prishur vendin e ngjarjes.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme./albeu.com