Policia e Elbasanit, ka njoftuar planin e masa të ndërmarrë me rastin e Ditës së Verës. Në njoftimin zyrtar, sqarohet se në datat 13 dhe 14 mars do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente.
Gjithashtu, njoftohet se për 48 orë do të bllokohet segmenti rrugor nga “Elbasan Arena” deri te rreth-rrotullimi i “1 Majit”.
Njoftimi i plotë:
Të gjitha strukturat e DVP Elbasan do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë periudhës së festimeve, me prezencë të shtuar në zonat ku zhvillohen aktivitete, në akset kryesore rrugore, si dhe në hyrje/daljet e qytetit.
Më tej, informojmë se më datat 13 dhe 14 mars 2026, do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore të qytetit.
Gjithashtu, për 48 orë, do të bllokohet segmenti rrugor nga “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”.
Gjatë këtyre ditëve ndalohet parkimi i mjeteve në qendër të qytetit dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”, ndërkaq, shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë të pranishme për orientimin dhe devijimin e trafikut.
Për të shmangur trafikun dhe për të lehtësuar qarkullimin, mjetet do të orientohen drejt hapësirave të përcaktuara të parkimit, sipas drejtimeve nga vijnë në qytet. Konkretisht:
•mjetet që vijnë nga lindja (Ura e Bakallit), do të parkohen te Parku i Mallrave;
•mjetet që vijnë nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut), do të parkohen te Shkolla e Formimit Profesional dhe te parkimi i ri pranë varrezave publike;
•mjetet që vijnë nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve), do të parkohen te shkolla profesionale “Sali Ceka”, në afërsi të Doganës, si dhe në parkimin pranë stacionit të trenit.
Autobusët e linjës “Tiranë – Elbasan” do të stacionohen pranë Doganës, afër shkollës profesionale, ndërsa autobusët e linjës “Elbasan – Cërrik” do të stacionohen tek ish-ofiçina, në rrugën “Ura”, pranë tregut industrial.
