Dita e Diasporës, Rama: Amnistia fiskale duhet të ishte bërë më herët

Ditën e sotme, në Ditën Kombëtare të Diasporës u zhvillua mbledhja vjetore e Këshillit Koordinues të Diasporës.

Të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Në fjalën e tij kryeministri Rama tha se marrëdhënia mes Diasporës dhe vendit amë është një marrëdhënie dinamike me probleme që asnjëherë nuk shterojnë sepse kohët ndryshojnë dhe interesat e lidhjet mes vendit amë dhe gjithë bijve të vet të shpërndarë nëpër botë marrin trajta të ndryshme në funksion të kohës.

Rama: Gjeneratat përballen me sfida të ndryshme dhe ne jemi dëshmitarë që bota transformohet me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe që na sfidon të adaptohemi. Kontributi i të ikurve në emigracion nga këto 3 dekada vazhdon të jetë konstant në ekonominë tonë.

Kreu i qeverisë u ndal te amnistia fiskale dhe nevoja për të garantuar formalizimin e të ardhurave të emigrantëve.

Rama: Amnistia fiskale do të garantojë formalizimin e të gjitha të ardhurave nga puna të shqiptarëve në Diasporë. Ekonomia informale nuk është një territor vetëm i vendeve në zhvillim si Shqipëria, por është një zonë që ekziston edhe në vendet e zhvilluara. Puna në të zezë, pagesat në Cash për punë të paregjistruara janë një konstante edhe në vendet e zhvilluara. Kemi arsye dhe raste për ta bërë më në fund këtë hap i cili ka qenë dashur të bëhet prej shumë kohësh.


Shtuar 18.12.2022 10:44