Vijon greva e urisë në Lumas, qytetari ushqehet me serum: Kam forca që të shtyj dhe nja dy ditë

Në ditën e pestë të grevës së urisë, banorët e Lumasit në Kuçovë, vijojnë të qëndrojnë në çadrat për mbrojtjen e burimit të ujit në Sinec.
Ata shprehen se nuk kanë ndër mend të dorëzohen, pavarësisht se po trajtohen me serum.

Një ndër banorët e grevës është shprehur se “besoj se kam forca që të shtyj dhe nja dy ditë”, teksa shihet gjendja e tij e rënduar, pasi ndodhet i shtrirë me serum.

Kujtojmë se pas 3 muajsh proteste kundër ndërhyrjes në zonën e Sinecit, banorët e Lumasit kanë vendosur që të hyjnë në grevë urie.

Në lidhje me këtë nëpërmjet një shkrese zyrtare ka reaguar edhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura pak ditë më parë, e cila urdhëronte Bashkinë e Kuçovës dhe firmën “Salillari” që të ndërpriste menjëherë punimet në Sinec.

Sipas saj, punimet cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, territorin e shpallur “Monument Natyror”.

Pavarësisht kërkesës së bërë nga kjo e fundit, siç shihet kjo gjë nuk e ndaloi firmën të ndërpriste punimet.

Ku më pas kjo solli dhe përplasje mes banorëve dhe firmës, të cilët prej tre muajsh janë përplasur disa herë me policinë.

Gjithashtu bëhet me dije se banorët e Lumasit kanë disa kërkesa; pezullimin e projektit të ujësjellësit në këtë fshat, largimin nga detyra të drejtorit të Policisë Berat, si edhe një takim me Kryeministrin Rama.


Shtuar 7.08.2021 13:17