Diskutimi për rihapjen e basteve dhe zhdukja e Ervis Martinajt: Çfarë paralajmëroi gazetari dhe çfarë po ndodh sot, lidhja

Por, ndërkohë që vijon “telenovela” Martinaj, pa u mbushur ende një muaj nga zhdukja e tij ka filluar diskutimi për rihapjen e basteve sportive në vend.

Një ditë më parë u njoftua një seancë dëgjimore mes qeverisë dhe palëve të interesit në këtë sektor, siç janë federatat sportive, të interesuara për taksat që të paguhen prej kësaj veprimtarie, por edhe vetë personazhe të rendësishëm të interesuar që të jenë vetë në këtë “lojë” të madhe që qarkullon qindra milliona euro në vit, raporton abcnews.al.

Argumenti është: Përderisa bastet po luhen në mënyrë të jashtëligjshme, atëhere hajde t’i legalizojmë në mënyrë që t’u marrim taksat!

Ky mund të duket një argument i qendrueshëm në një kohë kur arka e shtetit ka nevojë për sa më shumë para teksa vendi është përballë një krize energjetike, ndërkohë që ka raportime për “kërcime” të frikshme të Borxhit Publik, megjithatë koha kur ka nisur ky diskutim duket shumë e çuditshme.

I gjithë ky argument rri nisur edhe nga paralajmërite e pak ditëve më parë në ABC të gazetarit investigativ Artan Hoxha, i cili tha se një ndër shkaqet që çuan në organizimin e një grupi të madh kriminal kundër Ervis Martinajt ishte pikërisht tregu i lojërave të fatit.

Kush është “Mbreti” tani?

Gazetari i ABC shprehet se përballë Ervis Martinajt janë organizuar disa grupe kriminale, të cilat kanë patur një qëllim të vetëm: Largimin e tij nga “loja” pasi ishte kthyer në një personazh që kishte prishur balancat e marrëdhënieve mes krimit, politikës dhe botës së biznesit.

Hoxha paralajmëroi gjatë intervistës në ABC se grupi në fjalë, i cili ka financa tepër të shëndosha si edhe një grup të armatosur profesionistësh janë ata që do të mbretërojnë gjatë dekadës së ardhshme në fushën e krimit të organizuar.

Sipas tij, ky grup është një “përbindësh” që u krijuar për të hequr qafe Martinajn, ndërkohë që tashmë do të kthehen në një rrezik të madh për vendin pasi kanë gjithçka që iu duhet për të qenë të paprekshëm, qoftë edhe mbështetjen politike, raporton abcnews.al.

Kush e donte të vdekur Ervis Martinajn?

Mësohet se një ndër ndërhyrjet më të forta të Martinajt në këtë trekëndësh ka qenë momenti kur u tentua monopolizimi i tregut ta basteve në Shqipëri, pak vite pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” që e goditi rëndë atë në fund të vitit 2013. Bëhet fjalë sipas Hoxhës për kompaninë “Bast Arena”, në të cilin tentuan të futeshin në lojë një politikan i njohur, i shpallur madje “non grata” nga SHBA-të; një biznesmen i fuqishëm si edhe një i afërmi i një politikani tepër të rendësishëm në vend.

Hoxha u shpreh se me ta mësuar këtë, Martianaj kishte kontaktuar me të tre duke iu thënë se duhej të hiqnin dorë nga kjo tentativë për ta nxjerrë atë tërësisht nga loja. “Bast Arena” u mbyll pak muaj më pas sipas Hoxhës.

Largimi nga skena i Ervis Martinajt mund të çojë në një rigjallërim të tentativave për të monopolizuar tregun e basteve në Shqipëri përmes dhënies së ndonjë licence kombëtare.