DINAMIKA/ Si u vra Nazmi Bandulla duke pirë kafe pranë banesës, dalin pamjet nga vendngjarja (VIDEO)

Shkodra mëngjesin e sotëm është tronditur nga një ngjarje e rëndë. 55-vjeçari Nazmi Bandulla është qëlluar me armë zjarri për vdekje.

Viktima ka qenë duke pirë kafen e mëngjesit në afërsi të shtëpisë së tij në lagjen Partizani. Ai ka qenë ulur në një tavolinë në ambientet e jashtme dhe është qëlluar për vdekje me tre plumba. Autorët kanë qëlluar nga makina.

Kush është Nazmi Bandulla?

Nazmi Bandulla nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2020, makinës së tij i është vënë tritol në oborrin e shtëpisë, dhe dëmet qenë vetëm materiale. Gjithashtu disa vite më parë, Bandulla është arrestuar pasi ka tentuar të vrasë vëllain e tij, duke e kanosur me armë zjarri për shkak të një konflikti për prona.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 08:15, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 55 vjeç, banues në lagjen “Partizani”.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, me qëllim kapjen e autorit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për  sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./albeu.com


Shtuar 12.04.2022 09:06