Të tjera detaje kanë dalë nga atentati me një viktimë dhe një të plagosur në Milot.
Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, ndaj Klisman Preçit që mbeti i vdekur dhe Ylli Brahimit që u plagos, është qëlluar me rreth 100 plumba.
Mësohet se automjeti i viktimave, një furoristradë tip “Toyota” e blinduar është ndjekur nga autorët nga pas, në momentin që këta të fundit kanë qenë duke lëvizur në Milot edhe para ngjarjes.
Pasi i bllokuan lëvizjen automjetit me targa të Shkupit, autorët që mbanin kapele në kokë kanë zbritur nga makina e tyre dhe kanë qëlluar në drejtim të fuoristradës ku ndodheshin Preçi dhe Brahimi.
Pasi kanë parë se plumbat nuk po e përshkronin mjetin, një nga autorët e ka ndjekur dhe pasi është futur në rrugicë, ka qëlluar në hyrje të pallatit. Pas ngjarjes, policia gjeti një makinë e djegur në fshatin Gramëz, rrethi Krujë brenda të cilës u gjendën edhe dy armë zjarri kallashnikovë.
Njoftimi i Policisë:
Kurbin/Informacion paraprak
Në qytet Milot, në sheshpushimin e një pallati, rreth orës 21:00, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip fuoristradë “Land Chrysler”, brenda të cilit ndodheshin shtetasit K. P., 28 vjeç dhe Y. B., 46 vjeç, banues në Kurbin, të cilët janë dërguar në Spitalin e Traumës, në Tiranë. Shtetasi K. P. ka ndërruar jetë.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie dhe grupi hetimor.
Gjithashtu, nga forcat policore të Komisariateve të Policisë Kurbin dhe Lezhë, me mbështetje edhe nga grupet e FNSH Shkodër, po bëhet krehja e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Janë ngritur pika kontrolli në Rrugën e Kombit, në drejtim të Matit, të Lezhës, të Tiranës dhe të Krujës.
Në fshatin Gramëz, rrethi Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet, që dyshohet se është automjeti i përdorur nga autori/ët për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale. Nga kqyrja paraprake, brenda tij, janë gjetur 2 armë zjarri kallashnikovë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdon veprimet hetimore, duke administruar çdo provë, pamje filmike, informacion si dhe dëshmi, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./albeu.com/