Situata e motit të paqëndrueshëm, ka bërë që zona veri-lindore e vendit, të përfshihet nga reshje shiu dhe dëbore.
Në lartësitë mbi 700 metër, reshjet e shiut i kanë lënë vendin reshjeve të bores, duke sjellë një trashësi deri në 10 cm.
Megjithatë, reshjet e borës që kanë përfshirë njësitë administrative Arrën, Kalisë, Gryk Çajë, Bushtricë, Topojan, Zapot, nuk kanë shkaktuar problematika në qarkullimin e automjeteve dhe banorëve.
Temperaturat në këto zona, kanë zbritur deri -1 gradë.
Ulja e temperaturave dhe reshjet e bores, mendohet të ketë shkaktuar probleme në frutikulturë, shumë pemë frutore në këtë periudhë janë në fazën e lulëzimit.
Ndërsa në lartësitë nën 700 metër, reshjet e shiut kanë sjellë probleme në akset nacionale rrugore.
Problematikat janë shënuar në rënien e gurëve e dherave, më problematike janë paraqitur akset nacionale Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi, Kukës-Qaf Mali, Has-Kam-Tropojë e Bajram Curri- Fierz, pasi në këto akse ka prezencë të rënieve të gurëve.
Gjithsesi, situata është nën kontroll nga punonjësit e firmave mirëmbajtëse, duke larguar gurët e dherat dhe mbajtjen në funksion të rrugëve.