“Diktator paranojak”, gazetarët rusë mbushin faqen pro-Kremlinit me artikuj kundër luftës

Teksa ditën e sotme në Rusi u festua fitorja e Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë Naziste, festime të cilat u mbajtën në Sheshin e Kuq në Moskë, nga ana tjetër, gazetarët rusë mbushën faqen pro-Kremlinit me artikuj kundër luftës.

Veprimet e gazetarëve ishin në një akt të rrallë mospajtimi ndërsa vendi festonte fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste.

Sipas Guardian, artikujt në Lenta.ru e quanin presidentin Vladimir Putin një “diktator të keq paranojak” dhe e akuzuan atë për “luftën më të përgjakshme të shekullit të 21”.

“Duhej ta bënim sot. Ne donim t’u kujtonim të gjithëve se për çfarë luftuan vërtet gjyshërit tanë në këtë Ditë të bukur të Fitoresn për paqen”, tha 30-vjeçari Egor Polyakov, një nga dy gazetarët.

Gjatë fjalimit të tij vjetor para 11,000 ushtarëve në Kremlin të hënën në mëngjes, Putin u përpoq të justifikonte pushtimin e tij në Ukrainë, duke i lidhur luftimet në Ukrainë me fitoren sovjetike në Luftën e Dytë Botërore.

“Kjo nuk është ajo që ka të bëjë me Ditën e Fitores. Njerëz të zakonshëm po vdesin, gra dhe fëmijë paqësorë po vdesin në Ukrainë. Duke pasur parasysh retorikën që kemi parë, kjo nuk do të ndalet. Nuk mund ta pranonim më këtë. Kjo ishte e vetmja gjë e duhur që mund të bënim.”- i tha Polyakov Guardian në një intervistë.

Polyakov, i cili punon si reporter biznesi në Lenta, tha se ai dhe kolegia e tij Alexandra Miroshnikova botuan më shumë se 40 artikuj kritikë ndaj Kremlinit dhe veprimeve të tij në Ukrainë. Artikujt që atëherë janë hequr, por mund të arrihen përmes një vegle arkivimi në internet.